Investimet ne Ujëvarën e Mirushës, ministri inspekton punimet!

Ujëvara e Mirushës, bukuria e Kosovës

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kanë vizituar sot Ujëvarat e Mirushës, ku kanë parë nga afër realizimin e punimeve për rregullimin e shtigjeve të ecjes.

Kryetari Elezaj me këtë rast theksoi se investimet të cilat po realizohen në këtë park janë të një rëndësie të veçantë, pasi këtij Monumenti të Natyrës, përveç ujëvarave, liqeneve e bukurisë që i jep flora e pasur me lloje të ndryshme të bimëve, atraktivitetin do të ia shtojë edhe investimet të cilat po realizohen, për ta bërë edhe më tërheqës për vizitorë dhe një vend me potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e turizmit.

Në këtë park, lumi Mirusha në pjesën e fundit të rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanioni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një peizazh shumë të bukur e atraktiv për vizitorë.

Ndërsa Z.Fatmir Matoshi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2019 ka paraparë nje projekt që i dedikohet këtij monumenti.

“Sot, ishte privilegj dhe kënaqësi që së bashku me kryetarin e Klinës Zenun Elezaj, të shoh nga afër punët në projektin, “Pastrimi i ambientit dhe rregullimi i shtigjeve për këmbësor dhe biçikleta me ndreqim dhe pushimore prej rrugës regjionale Klinë – Gjakovë deri te Ujëvara e Mirushës” me gjatësi 2300 metra, vlera e të cilit është 384.000 euro.”, ka deklaruar Matoshi.

Matoshi ka deklaruar se ky projekt do t`ia shtojë vlerën dhe bukurinë ujëvarës tonë, duke shpresuar që edhe investime të tjera t’i dedikohen në të ardhmen këtij monumenti.

Projekti është investim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa plani është hartuar nga komuna e Klinës. 21Media

Back to top button