Iraku kërkon sqarime shtesë nga SHBA-ja për “tërheqjen e forcave amerikane”

Iraku ka kërkuar sqarime

Iraku e ka pranuar një letër nga ushtria amerikane në lidhje me tërheqjen e trupave të saj nga vendi, tha të martën kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi.

Versionet në gjuhën angleze dhe arabe të letrës nuk janë identike, kështu që Iraku ka kërkuar sqarime, shtoi ai.

Parlamenti irakian mbështeti një rezolutë që kërkonte tërheqjen e të gjitha trupave të huaja nga vendi, pasi një dron ushtarak amerikan vrau komandantin e lartë ushtarak të Iranit, Qasem Soleimani.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk kishin plan të tërhiqnin trupat e saj nga Iraku, pas raportimeve të Reuters-it dhe media të tjera për një letër të Ushtrisë amerikane e cila informonte zyrtarët irakianë për ripozicionimin e trupave si përgatitje për largim nga vendi.

Forcat e huaja kanë qenë në Irak kryesisht si pjesë e një koalicioni të udhëhequr nga SHBA-ja që ka trajnuar dhe mbështetur forcat irakiane të sigurisë kundër kërcënimit të militantëve të grupit ekstremist Shteti Islamik./Rel

Back to top button