Kërkon përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

Kërkon përkrahjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

Vjosa Osmani,  dje është zgjedhur kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës. Osmani është gruaja e parë në Kosovë që kandidon për këtë post.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa sot përmes një statusi në Facebook ka shprehur përkrahjen e parezervë për Vjosa Osmanin duke thënë se pret përkrahjen edhe të Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës e po ashtu të gjithë Kosovës.

Vendosim sot, që znj. Vjosa Osani të jetë kandidate e LDK-së për Kryeministre të Kosovës. Dje, ajo mori përkrahjen e plotë të Kryesisë së LDK-së.
Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze.

Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë. Ishte, poashtu, z. Lutfi Haziri, tani Kryetar i Gjilanit. Më herët zëvendëskryeministër e deputet. Z. Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të parezervë Vjosës.
Përkrahjen e sigurt e pres sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. E nesër, nga qytetarët e Kosovës.

Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare.”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Propozimi unanim i kryesisë së LDK-së që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre e kësaj partie pritet të marrë bekimin edhe të Këshillit të Përgjithshëm.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm sot në ora 11:00 që do të mbahet në selinë qendrore të partisë./21Media