LDK kërkon të ndriçohet kjo vrasje

LDK kërkon të ndriçohet kjo vrasje

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar veprimtarin Enver Maloku, në 21 vjetorin e vrasjes së tij.

“Sot, kujtojmë njërën nga figurat kolosale të LDK-së, intelektualin dhe zërin e lirisë, Enver Maloku. Kontributi i Enverit, si drejtues i Qendrës për Informim e Kosovës ishte i pazëvendësueshëm. Ishte meritë e Enver Malokut, që në kohë të okupimit të egër serb e luftës së ashpër, fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai, punoi si kurrë më parë në histori, në informimin dhe sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për krimet që po ndodhnin në Kosovën e viteve të 90-a. E duket se kjo punë fisnike e atdhetare, po ia zinte rrugën qarqeve antishqiptare – dhe më 11 janar 1999, pranë banesës së tij, ai u vra tinëzisht në prani të familjes së tij”, ka thënë ai.

Edhe pas dy dekadave, vrasja e Enver Malokut mbetet e pandriçuar. Lidhja Demokratike e Kosovës, po kërkon me ngulm që secila vrasje e veprimtarëve të LDK-së, të ndriçohet deri në fund.

“I përjetshëm kujtimi, për Heroin e Kosovës, Enver Malokun!”, ka thënë Mustafa.

Enver Maloku i cili ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta./21Media