Ai në qendrën e votimit u paraqit me kartelën identifikuese të UP-së

Ai në qendrën e votimit u paraqit me kartelën identifikuese të UP-së

Kreu i LDK-së Isa Mustafa, kreu obligimin e tij si qytetar në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, duke votuar me një dokument që nuk përmendet në listën e pranuar të dokumenteve të identifikimit për votim.

Mustafa ka ofruar si mjet identifikimi kartelën identifikuese të Universitetit të Prishtinës.

Përfaqësuesi i koalicionit DnV, Shpend Emini tha për RTV21 se veprimi i ish-kryeministrit Isa Mustafa nuk përkon me rregullorën e KQZ-së, sipas tij votimi i tillë nuk iu është dashur t’i lejohet Mustafës. Emini tha se komisionerët do të duhej ta udhëzonin Mustafën tek e fundit të votojë me kusht apo në një formë tjetër edhe pse siç tha ai është bërë mjaftueshëm fushatë vetëdijësuese se si duhet të votohet. Ai ftoi KQZ-në të merret me këtë rast.

Në anën tjetër kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se këshilli i vendvotimit e mbanë përgjegjësinë se si aplikohet ligji ditën e zgjedhjeve.

Dokumentet që mund të përdoren për identifikim gjatë votimit janë letërnjoftimi i vlefshëm nga Republika e Kosovës, pasaporta e vlefshme nga Republika e Kosovës, kartelë e personave të zhvendosur ose refugjatë e vlefshme nga Republika e Kosovës./21Media