Kurti flet për Hajrulla Çekun

Kurti flet për Hajrulla Çekun

Ish-zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Hajrulla Çeku, është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka theksuar se me dijen e përvojën, kulturën e ndershmërinë e Hajrulla Çekut janë edhe më të sigurt, dhe më të fuqishëm.

“Hajrulla Çeku ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Universitetin e Trentos, Itali, dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani. Njihemi kaherë por tash do të punojmë bashkë në Lëvizje. Sot isha në Prizren ku na gëzoi e nderoi me anëtarësimin e tij në VETËVENDOSJE!. Për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Hajrullau ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe të tjera. Qasja komunitare dhe fuqizimi i grupeve të pambrojtura dhe pa zë kanë qenë shtylla të veprimtarisë së tij. Hajrullau ka pëfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara të Bashkuara, Maltë, Gjermani dhe Francë. Ka qenë pjesë e projekteve hulumtuese dhe ka publikuar gjerësisht mbi qeverisjen dhe zhvillimin lokal, menaxhimin e trashëgimisë kulturore, planifikimin urban, aktivizmin dhe zhvillimin e shoqërisë civile. Rishtazi ka shërbyer edhe në qeverinë e Shqipërisë në cilësinë e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit. Me dijen e përvojën, kulturën e ndershmërinë e Hajrullaut jemi edhe më të sigurt, edhe më të fuqishëm. Më afër se kurrë, shpejt si asnjëherë, 6 tetorit 2019, kur zgjedhja dhe festa bëhen bashkë me emrin e Lëvizjes sonë, e me të ardhmen e vendit tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Fushata për zgjedhjet  e parakohshme fillon me më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor. Kështu vendoi  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme. Po ashtu Komisoni miratoi  buxhetin për organizmin e zgjedhjeve prej mbi  5 milionë euro. Kërkesa për buxhet iu dorëzua qeverisë në detyrë./21Media