"Google Maps" tregon makinën e fundosur

“Google Maps” tregon makinën e fundosur

Mbetjet e një njeriu që ishte zhdukur dy dekada më parë në Florida janë gjetur në një makinë të fundosur në ujë përmes aplikacionit “Google Maps”.

William Moldt, u raportua i zhdukur në Florida, më 7 nëntor të vitit 1997.

Ai nuk ishte kthyer në shtëpi që nga nata kur kishte dalë me miqtë në një klub kur ishte 40 vjeç, transmeton rtv21.tv.

Një hetim për personin e zhdukur ishte nisur nga policia, mirëpo nuk rezultoi asgjë.

Më 28 gusht të këtij viti, 22 vjet më vonë, policia u thirr për një makinë të gjetur në një pellg në Moon Bay Circle, Wellington.

Kur automjeti u tërhoq nga uji, mbetjet skeletore u gjetën brenda. Një javë më vonë, mbetjet u identifikuan pozitivisht se i përkisnin Moldt të zhdukur.

Makina e fundosur e Moldt ishte parë nga një banor i mëparshëm i zonës pasi “bëri një kërkim në Google”, tha policia.

Burri më pas kontaktoi një banor aktual të Moon Bay Circle për t’u thënë atyre atë që kishte parë. Duke përdorur dronin e tij personal, banori konfirmoi se kishte një makinë në pellg dhe kontaktoi policinë.

Një raport nga Charley Project, një bazë të dhënash në internet e rasteve të tilla në SHBA, thoshte se “automjeti ishte i dukshëm në një foto satelitore të Google Earth të zonës që nga viti 2007, por me sa duket askush nuk e kishte vërejtur atë deri në vitin 2019” .

Zyra e Sherifit e Qarkut Palm Beach i tha BBC-së se Moldt supozohet se ka humbur kontrollin e automjetit të tij dhe është futur në pellg.

Gjatë hetimit fillestar për zhdukjen e tij, nuk kishte “asnjë provë” deri vonë, kur një ndryshim në ujë e bëri makinën të dukshme.

Familja e viktimës është informuar për zbulimin e mbetjeve të tij./21Media