Çmimin ka vlerë monetare 10 mijë euro

Çmimin ka vlerë monetare 10 mijë euro

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, në konsultim me Këshillin e Librit, ka vendosur që Çmimi Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe” t’i jepet shkrimtarit Ismail Kadare, për kontributin e madh dhënë letërsisë shqipe dhe asaj botërore.

Ky çmim i veçantë jepet për personalitet, të cilët me veprën e tyre kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.

Çmimin në fjalë ka vlerë monetare 10 mijë euro dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Kosovës, Shqipërisë, apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.

Ky çmim, sipas Rregullores, jepet nga ministri i Kulturës , në bashkëpunim me Këshillin e Librit.

Ministri Kujtim Shala vlerësoi se laureati Kadare, e vë këtë çmim në një standard të lartë ndërkombëtar.

Sipas tij, ky çmim, si i tillë, do të jetë një ndihmesë për pranimin, njohjen dhe afirmimin e mëtejmë të letërsisë shqipe.

Ceremonia solemne e dorëzimit të çmimit do të zhvillohet në Prishtinë./21Media