Ismaili: Çmimet e barnave do të jenë të njejta në të gjithë Kosovën

Lajm i mirë për qytetarët

“Çmime të njëjta për barnat e njëjta në secilën barnatore, në të gjithë Kosovën, që t’u japim fund shpenzimeve shumë të larta të qytetarëve në blerjen e barnave”, ka thënë sot ministri Uran Ismaili në një debat publik. Qëllimi i këtij debati ishte për Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore.

I pari i shëndetësisë ka thënë se iniciativa për finalizimin e këtij dokumenti është i rëndësishëm për shumë arsye, por më e rëndësishmja do të jetë ruajtja e buxhetit të shtetit dhe xhepit të qytetarëve.

Ismaili ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk e kanë të rregulluar blerjen e barnave me çmime referente.

“Për ta ruajtur xhepin e qytetarëve, buxhetin e shtetit, dhe për ta hequr Kosovën nga kjo “listë e zezë”, në bashkëpunim të afërt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ne kemi hartuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të barnave”, ka shtuar ai.

Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës,  Fatmir Plakiqi, ka thënë se Fondi për Sigurim Shëndetësor aktualisht është duke punuar intensivisht në plotësimin e parakushteve të cilat janë të domosdoshme në mënyrë që të bëhet funksionalizimi i plotë dhe fillimi i reimburismit të barnave në Kosovë.

“Një nga parakushtet e rëndësishme është edhe përcaktimi i çmimeve të produkteve medicinale për të cilën gjë tashmë kemi punuar në harmoni të plotë me shumë mekanizma si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë me ekspertë nga Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, përmes një prezantim tregoi mënyrën e zbatueshmërisë së këtij udhëzimi administrativ.

Përmes një lidhje me skype, ka folur edhe ekspertja e OBSh-së në Danimarkë Hanne Bak. Ajo tha se janë të lumtur që po shohin progresin evident që po ndodhë në reformat shëndetësore në Kosovë.

“Ky është një dokument shumë i mirë që për qëllim ka të mbrojë qytetarët nga shpenzimet e larta financiare në blerjen e barnave”, tha ndër të tjera ajo.

Udhëzimi Administrativ, pas futjes në fuqi, do të rregulloj çmimet e të gjitha barnave: Atyre që janë në Listën Esenciale, atyre që do të jenë të reimbursuara nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, si dhe atyre që do të përshkruhen nga mjeku./21Media

Back to top button