Ismaili: Pezullimi i Ligjit për Paga rrezikon ndaljen e ikjes së mjekëve

Është pezulluar Ligji i ri për Pagat

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar Ligjin e ri për Pagat e sektorit publik deri më 30 mars të vitit 2020. Vendimi është marrë pas kërkesës së Avokatit të Popullit që të pezullohet ligji i ri i cili ka shkaktuar shumë debate. Këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese e ka cilësuar zhgënjyes ministri në detyrë i shëndetësisë, Uran Ismali. Ai tutje ka thënë se ky vendim do të ndikojë që punëtorët shëndetësorë të ikin jashtë vendit.

“T’u thuhet tani, dy javë para se ata të gëzojnë paga të dinjitetshme, të pritura me dekada, se ata do të vazhdojnë të paguhen siç janë paguar deri më sot, është shumë dëshpëruese. Për dy vite pandërprerë kemi punuar që të përmirësojmë kushtet e punës për profesionistët shëndetësorë dhe t’u sigurojmë atyre paga të dinjitetshme që të qëndrojnë në Kosovë. Ky vendim rrezikon tej mase përpjekjet tona për ndaljen e ikjes së profesionistëve shëndetësorë nga vendi ynë. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me pezullimin, zvarritjen dhe rezistencën që po i bëhet këtij ligji. Profesionistët shëndetësorë nuk e meritojnë këtë trajtim.”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Për të kundërshtuar pezullimin e Ligjit për Paga, nesër është paralajmëruar greva dyorëshe në arsim dhe tetë orë në shëndetësi. Ndërsa, sindikata e policisë do t’i bashkohet me një protestë. Në shkurt të këtij viti është miratuar Ligji për Paga në sektorin publik. Pagat sipas këtij ligji do të duhej të merreshin në dhjetor të këtij viti. Kosova për herë të parë pas 11 vjetësh shtet është bërë me Ligjin për Pagat./21Media

Back to top button