Aksidentohen teksa shkonin në bjeshkët e Istogut

Aksidentohen teksa shkonin në bjeshkët e Istogut

Sot rreth orës 07:00, në bjeshkët e Istogut ka ndodhur një aksident trafiku, ku një person ka humbur jetën ndërsa dy të tjerë janë lënduar.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se sipas të lënduarve, 3 të rinjtë kanë qenë duke shkuar në bjeshkët e Istogut, dhe në hyrje të vendit të quajtur Polane, për shkak të kushteve të dobëta atmosferike, me automjetin e tyre që ishin duke qarkulluar kanë humbur kontrollin dhe janë rrokullisur për më shumë se 300 metra në një humnerë.

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësitë nga Stacioni Policor Istog, menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarjes së bashku me Njësitin e Trafikut Rajonal, dhe njësitet tjera relevante si zjarrfikësit dhe ndihma e parë, me ç’rast kanë bërë përpjekje për t’i tërhequr viktimat e aksidentuara nga humnera.

Dy të lënduarit E.M. 1995 dhe F.S.1998 janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për trajtim mjekësor, ndërsa trupi i pa jetë i të miturit, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, është tërhequr nga vendi i ngjarjes për t’u dërguar në morgun e spitalit.

Hetuesit e Trafikut Rajonal për hetimin e aksidenteve janë duke u marrë me rast në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, për të kuptuar rrethanat e këtij aksidenti me fatalitet”, thuhet në njoftimin e Policisë./21Media