Koronavirusi vazhdon të përhapet

Koronavirusi vazhdon të përhapet

Italia vazhdon të jetë shteti më i goditur në Evropë nga koronavirusi dhe shteti atje po shkon duke ashpërsuar masat e izolimit, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka njoftuar për përshkallëzim të izolimit që po vazhdon të zbatohet në Itali.

Italia ka raportuar për mbi 12,000 persona të prekur me këtë virus, derisa 827 persona kanë vdekur në këtë shtet.

Ky shtet do të mbyllë të gjitha dyqanet, përveç atyre ushqimore dhe barnatoreve, në kuadër të masave të izolimit kombëtar.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka vendosur kufizime të reja në udhëtim nga Evropa drejt Shteteve të Bashkuara, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri. Në një fjalim televiziv, ai ka thënë se të gjitha udhëtimet nga Evropa do të pezullohen për 30 ditët e ardhshme. Mirëpo, ai ka thënë se kufizimet “e fuqishme por të domosdoshme”, nuk do të zbatohen për Mbretërinë e Bashkuar, ku janë infektuar rreth gati 200 veta për një ditë dhe numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus është rreth 600.

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është raportuar për 1,135 persona të infektuar, dhe për 38 persona që kanë vdekur nga kjo sëmundje. “Për të parandaluar ardhjen e rasteve të reja në tokën tonë, ne do të pezullojmë gjithë udhëtimin nga Evropa”, ka thënë Trump.

Trump ka thënë se Bashkimi Evropian “ka dështuar të marrë masa parandaluese” sikurse SHBA-ja.Vetëm disa ditë më herët Presidenti amerikan kishte folur me tone tallëse dhe përbuzëse për koronavirus dhe kishte prezantuar të dhëna dhe parashikime që dolën të jenë të pasakta.

Shteti më i goditur është Uashingotni, ku deri më tani kanë vdekur 24 njerëz nga koronavirusi.

Zyrtarë të BE-së e kanë gjykuar këtë vendim të Presidentit Trump vendim të njëanshëm dhe të miratuar pa konsultime.“Koronavirusi është krizë globale, nuk është i kufizuar në ndonjë kontinent dhe kërkon bashkëpunim në vend të veprimit të njëanshëm”, thuhet në një deklarate të përbashkët të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Bashkimi Evropian është duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të kufizuar përhapjen e virusit”, thanë ata.

Organizta Botërore e Shëndetësisë dje e ka shpallur koronavirusin COVID 19 pandemi, kurse kreu i kësaj organizate Tedros Adhanom Ghebreyesus, kishte deklaruar se mosangazhimi i disa vendeve është alarmant./21Media