Italia në luftë me koronavirusin, por ndihmon edhe Kosovën

Diplomati italian uroi që situata në Kosovë të mbetet e njëjtë

Italia është shteti, i cili po kalon në një periudhë të vështirë për shkak të virusit COVID 19, mirëpo vendi mik është kujtuar të ndihmojë Kosovën me pajisje shtesë për të parandaluar përhapjen e atij që tashmë gjerësisht po njihet si koronavirus. Edhe pse deri më tani në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast me COVID 19, shteti ka ndërmarrë masa që të përgatitet për çfarëdo lloj skenari të mundshëm.

Ambasadori italian, Nicola Orlando, deklaroi se qeveria ka ndërmarrë masat e duhura për të parandaluar përahpjen, ndërsa foli edhe për rëndësinë e zabtimit të këshillave nga ana e qytetarëve.

Orlando pati fjalë inkurajuese edhe për mjekët, të cilët janë në vijën e parë të frontit dhe po luftojnë me sëmundjen, duke i cilësuar ata si heronj. Diplomati italian uroi që situata në Kosovë të mbetet e njëjtë dhe të mos regjistrohet asnjë rast me korona virus, ndërsa tha se nuk ka udhëtuar drejt vendlindjes së tij që nga 6 janari.

Drejtori i IKShP-së, Naser Ramadani u shpreh falënderues për donacionin. Në mesin e mjeteve mbrojtëse ka maska, mantela dhe dorëza, të cilat u thanë se kanë ardhur para shpërfaqjes së epidemisë në Itali.

Duke folur për rastet e dyshimta me koronavirus, ai tha se nga të gjitha mostrat që kanë marrë deri më tash, nuk ka rezultuar ndonjë rastRamadani theksoi se për çdo rast të dyshimtë, rezultatet e tyre dalin në afërsisht katër orë.

E, drejtori i departamentit Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi u shpreh se çdo ndihmë me pajisje mbrojtëse janë të nevojshme. Sipas tij, është shumë e mundur që në ditët ose javët në vijim të ketë raste me këtë virus.

Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19 ka infektuar mbi 134 mijë njerëz në gjithë botën. Si pasojë e tij, 4 mijë e 990 persona kanë vdekur. Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Kinë në muajin dhjetor, ndërsa që atëherë janë përhapur edhe në mbi 100 shtete të botës. Nga vendet më të goditura në Evropë është Italia, me mbi 12 mijë 400 raste.

Back to top button