Ivanov: Nuk do të legalizoj “ndërtime politike pa leje”

Ivanov: Nuk do të legalizoj “ndërtime politike pa leje”

Marrëveshja me Greqinë është marrëveshje personale e Qeverisë. Ajo është e dëmshme për Republikën e Maqedonisë dhe unë nuk do të legalizoj “ndërtime politike pa leje”, deklaroi sot presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Sipas tij, me këtë marrëveshje më shumë hapen, sesa që mbyllen çështje.

“Marrëveshja e këtillë e dëmshme, e cila është e vetme në historinë e njerëzimit, për mua është e padenjë dhe e papranueshme. Me këtë marrëveshje po shkelet Kushtetuta, ligjet dhe po cenohen institucionet shtetërore. Nuk do të legalizoj “ndërtime politike pa leje”. Qeveria nuk kishte fuqi dhe guxim për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët dhe të arrihet konsensus nacional. I gjithë ky proces i negociatave,  zhvillohej në mënyrë joserioze, të papërgjegjshme dhe jotransparente, gjë për të cilën dëshmon edhe rezultati përfundimtar. Qytetarë të nderuar, teksti i marrëveshjes paraqet dështim për Republikën e Maqedonisë. Me atë nuk parashihet vetëm ndryshimi i emrit kushtetues, por edhe ndryshimi i preambulës dhe të të gjitha neneve të Kushtetutës, ku përmendet emri dhe termat, që rrjedhin nga termi Maqedonia”, tha Ivanov.

Takimi i Zaevit dhe Dimitrovit me Ivanovin në Villën Vondo, ka zgjatur vetëm 2 minuta. Pasi e kanë informuar se kanë arritur një marrëveshje me Greqinë, presidenti është larguar nga takimi me arsyetim se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, shkruan tv21.tv

Nga Qeveria thonë se Zaev dhe Dimitrov, kanë pasur përpjekje konstruktive për ta prezantuar dhe për ta diskutuar përmbajtjen e marrëveshjes, por Ivanovi nuk ka dashur t’i dëgjojë. Menjëherë, nga Villa Vodno, kryeministri Zaev u kthye në Qeveri ku e njoftoi liderin e VMRO-DPMNE-së, për përmbajtjen e marrëveshjes së arritur.

“Kemi pasur takim të shkurtër, sepse nuk kam çfarë të shtoj nga ajo që e thashë dje – përveç se të përsëris se kjo marrëveshje është kapitullim. Pasi e analizojmë brenda partisë, do të kërkojmë edhe konsultime me Kishën Ortodokse të Maqedonisë – Peshkopata e Ohrit, me Bashkësinë Fetare Islame,  me Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Maqedonisë, sepse me këtë marrëveshje ndoshta AASHM-ja nuk do ta ketë emrin e njëjtë, por ndoshta do të duhet ta ndryshojë. Duam të marrim më shumë mendime. Zaevi e monopolizoi procesin e negociatave. Na kanë vënë në situatë që të komentojmë për kapitullim”, u shpreh Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.

Ai e përsëriti qëndrimin e partisë se nuk pranon ndryshime kushtetuese dhe ndryshimin e emrit kushtetues të vendit. Pas takimit me Mickoski, përmes një kumtese, u prononcua edhe Zaev. Sipas tij, opozita duhet t’u japë shans qytetarëve për ta treguar mendimin e tyre.

Në kumtesën, mes të tjerësh thuhet se Zaevi në takimin e shkurtër, ka theksuar se si politikanë të përgjegjës kanë për detyrë që qytetarëve të Maqedonisë t’ua mundësojnë të drejtën e tyre demokratike dhe ka dërguar porosi se subjektet politike duhet të bashkohen rreth organizimit të një referendumi dhe prioriteteve kombëtare të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE.

Pasi u publikua se është arritur një marrëveshje për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, “Komiteti për luftë për karakterin grek të Maqedonisë”, përmes rrjeteve sociale dhe mediave greke, paralajmërojnë se në ditën kur Maqedonia dhe Greqia do ta nënshkruajnë marrëveshjen në Prespë, do të mbahen protestë, që me gjasa do të ndodhë të shtunën. Pas informatës se të premten në Parlamentin e Greqisë do të mbahet debat për marrëveshjen e arritur, organizatorët e protestave, bëjnë thirrje për tubim edhe në sheshin e Athinës “Sintagma”, në të njëjtën kohë kur deputetët do të debatojnë mbi përmbajtjen e marrëveshjes së sapo arritur.