Izmaku kundër mbajtjes së seancës për rastin e vajzës që u abuzua seksualisht

“Ndjehem keq edhe si nënë edhe si grua”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku është shprehur kundër mbajtjes së seancës për rastin e vajzës nga Drenasi, me të cilën dyshohet të kenë abuzuar seksualisht një mësues dhe një polic. Sipas saj, kjo seancë parlamentare është e ngutshme, dhe e njëjta do të duhej të ishte e mbyllur për publikun.

Deputetja Xhavahire Izmaku, gjatë fjalimit të saj në seancën e jashtëzakonshme tha se nëse dëshirojnë që të zgjidhin problemet, atëherë ato duhet adresuar në komisione, duke i ftuar njerëzit kompetentë në raportim.

“E shndërruam në një dramë politike një rast fatkeq të një vajzë të mitur, nga një person i akuzuar që fatkeqësisht ishte një polic në detyrë. Njëherit, po besoj pa vetëdijen tonë, kemi kontribuar sot në lëkundjen e besimit ndaj një institucioni që na ka bërë aq krenarë viteve të fundit, siç është policia. Edhe njëherë, jam kundër idesë që raste të tilla të vijnë me ngut në Kuvend për diskutim. Dhe, jam kundër idesë që të gjitha rastet që ndodhin, ne kemi informacione që ka abuzime, ka shantazhe, le të adresohen në vendin e duhur te organet kompetente, mos ta humbin besimin te organet e policisë, sepse në polici ka vajza dhe djem të shkëlqyer, pra t’i dallojmë”, tha ajo.

Ajo është shprehur kundër faktit, që rasti i vajzës së mitur është shpërndarë në opinionin e gjerë publik.

“Ndjehem keq edhe si nënë edhe si grua, duke e ditë faktin dhe mentalitetin që ne dijmë me i keqpërdorë pastaj këto fatkeqësi edhe u lëm nam atyre familjeve duke u munduar me iu ndihmu, pra kush nuk e mori vesh, krejt bota e mur vesh, sa informacione edhe më të rënda ndodhin në shtete të tjera dhe shkojnë i mbulojnë, ne sot kur e shoh tash në portale, edhe gazetat franceze që kanë skandale 100 herë më të mëdha sot e përdorin rastin e Kosovës, pra po mendoj që ish dashtë me qenë racional se krejt në fund ka me na u faturu neve si shtet, jo veç një grupi politik”, tha ajo.

Ajo ka thënë se këtu bëhet fjale për raste dhe jo fenomen, meqë sipas saj, derisa ndodh krejt kjo tronditje popullore atëherë nënkuptohet që populli nuk i mësuar me raste të tilla.

Back to top button