Ja çfarë përmban platforma e votuar sot nga Ekipi Shtetëror Negociator

Nitaj ka treguar disa nga parimet që i përmban platforma e dialogut

Ekipi shtetëror për bisedimet me Serbinë e ka miratuar sot platformën pas sugjerimeve të marra edhe nga udhëheqësit e shtetit. U tha se kjo platformë është e bazuar në kushtetutën e vendit dhe mbron interesat e Kosovës.

I ftuar në emisionin debatues  “Click” të RTV21, deputeti nga anët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka treguar disa nga parimet që i përmban platforma e dialogut e votuar nga Ekipi Shtetëror Negociator.

Nitaj ka thënë se janë diku nëntë parime dhe gjitha ato janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Parimi i parë thotë se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të siguroj njohje dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur me zotime ligjërisht të detyrueshme”, ka thënë Nitaj.

Ai tha se në parimin e dytë thuhet se nuk ka marrëveshje për asgjë nëse nuk do të ketë marrëveshje për gjithçka.

Nitaj ka veçuar edhe parimin e shtatë që siç tha është thelbësor, elementar “Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila parasheh që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i pa tjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj neni 2, pika 2 Integriteti territorial i Kosovës garantohet gjithashtu edhe me të drejtën ndërkombëtare”.

Platforma e dialogut do të dorëzohet nesër në Kuvend./21Media

Back to top button