Maloku ka rënditur fitoret e mundshme të LDK-së dhe VV-së nëse bëjnë koalicion

Maloku ka rënditur fitoret e mundshme të LDK-së dhe VV-së nëse bëjnë koalicion

Profesori dhe sociologu Fadil Maloku në rast të një koalicioni eventual parazgjedhor ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka rënditur disa pika se çka fiton secila parti politike.

Sipas shkrimit të sotëm të Malokut, në rast të koalicionit secila nga dy partitë e përmendura ka nga “shtatë fitore”, shkruan rtv21.tv

“1. LDK-ja, FITON sigurinë nga frika e krimit dhe korrupsionit fillestar, ngase, këta të VV ende s’kanë “absolvu” sa dhe si duhet në këtë sjellje devijante sociale.

2. LDK-ja, FITON stabilitetin qeverisës, që miqve ndërkombëtarë u nevojitet si “ajri”, në (negociatat me Serbinë) rikonfigurimet e reja gjeostrategjike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

3. LDK-ja, FITON satisfaksionin e përmirësimit të imazhit publik, që iu ka zbehë gjatë qeverisjes me PDK-në, në mandatet e kaluara.

4. LDK-ja, FITON respektin dhe garancionet për një qeverisje meritokratike, që sa kohë është duke e shpërfillur përmes ushtrimit të ndikimit të pleqëve “rugovistë”, sidomos në proceset vendimmarrëse.

5. LDK-ja, FITON të drejtën moralo/politike për ta fuqizuar demokratizimin e brendshëm, që i ka munguar dhe i mungon ende, sidomos në procedurat zgjedhore të liderishipit.

6. LDK-ja, FITON mandatin social për ta dëshmuar nismën e ndryshimit për procesin dhe kauzën e shtetndërtimit, që në qeverisjen me PDK-në (sipas vetë PDK-së) ishte “tradhëtuar” keq…

7. LDK-ja, FITON guidën e re për ta flakur adutin e inferioritetit, që ajo në vazhdimësi e kultivonte (lexo; e fshehte qëllimisht) përmes synimit dhe veprimeve gjoja “institucionaliste”…

Çka fiton Lëvizja Vetëvendosje?

1. Lëvizja e VV-së, FITON përvojen e fuqizimit të përgjegjēsisë institucionale, në nivelin shtetëror.

2. Lëvizja e VV-së, FITON kompetencat e plota vendimmarrëse për vendimet e veta fuqiplota në raport me (ar)miqët e jashtëm dhe të brendshëm.

3. Lëvizja e VV-së, FITON shansën e nevojshme për ta testuar konsekuencën e saj programore, për bashkim kombëtar, midis Shqipërisë dhe Kosovës.

4. Lëvizja e VV-së, FITON dhe e ndihmon vetën (me projekte konkrete sociale e ekonomike) në heqjen e hipotekës së amputuar nga kundërshtarët gjoja ideologjik, për gjoja majtizmin alla “kim jong-ist”.

5. Lëvizja e VV-së, FITON sepse i rritën shansat për ç’kapjen e shtetit nga kondom oligarkët e ngritur në mënyrë meteorite nga qeveritë e pasluftës.

6. Lëvizja e VV-së, FITON sepse bashkarisht kanë shanse ta inaugurojnë profilin e politikanit meritokratik, në vend të atij injorant.

7. Lëvizja e VV-së, FITON midis tjerash edhe; sigurinë e mos vazhdimit të qeverisjes me PDK dhe eksponentë të PAN-it; sigurinë e mos ndryshimit të kufijve të Kosovës; qeveri stabile e me legjitimitet e numra për zbatimin e një programi qeverisës zhvillimor; jetësimin dhe nevojën e reformave të mëdha në drejtësi, gjyqësi, ekonomi…”, shkroi Maloku.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës u shpreh optimist për koalicion me LDK-në. Ndonëse nuk tha diçka konkrete ai u shpreh optimist për koalicion, duke u shprehur se do të bëjë gjithçka publike. Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dje i është përgjigjur zyrtarëve të Vetëvendosjes lidhur me kërkesën për postin e kryeministrit. Ai ka thënë se nuk bëjnë koalicion me asnjë parti që i kushtëzon me këtë post, ndërsa ka ftuar zyrtarët e Vetëvendosjes të përmbahen nga deklaratat kushtëzuese./21Media