Talenti prishtinas zgjodhi Prishtinën

Talenti prishtinas zgjodhi Prishtinën

Prishtina sot blindoi talentin e tyre, Armend Gashin. Gashi më parë ka mbrojtur ngjyrat e Prishtinës U19, mirëpo disa ditë më parë ishte edhe në prova në disa skuadra të mëdha gjermane.

Duke ditur aftësitë dhe cilësitë e futbollistit, Mirel Josa me çdo kusht dëshironte që sulmuesin e krahut nga Prishtina ta ketë në skuadër. Gashit i janë rekomanduar dy zgjedhje ose të qëndrojë tek Hanoveri U21 apo të luajë edhe 1 vit në Superligën e Kosovës. Talenti prishtinas zgjodhi këtë të dytën, duke arritur marrëveshje me klubin nga kryeqyteti.

Në kontratën e nënshkruar është cekur se lojtari do të jetë i lirë për të vazhduar karrierën e tij në Gjermani, ku mësohet se lojtari tashmë veç ka një parakontratë me një klub gjerman.

Gashi kishte oferta edhe nga shumë skuadra të Superligës, duke përmendur Vushtrrinë dhe Ballkanin, mirëpo ai zgjodhi t’i qëndrojë besnik Prishtinës.

Futbollistin nën menaxhim e kanë marrë vëllezërit Arsim e Ramadan Rrustemi. Mësohet se këta janë të afërm me Altin Lalën dhe shumë shpejt do të bëjnë publike edhe kompaninë menaxheriale, duke bërë të ditur se shumë talentë nga Kosova e Shqipëria do të jenë nën ombrellën e tyre.