Abazi rrëfeu edhe një moment që i kishte ndodhur në njërin prej xhirimeve të një shtëpie në Gjilan

Abazi rrëfeu edhe një moment që i kishte ndodhur në njërin prej xhirimeve të një shtëpie në Gjilan

Kur është ndier në siklet, cilat kanë qenë reagimet e njerëzve, a e ka frymëzur ndonjë shtëpi e bukur dhe a do të rikthehet emisioni për shtëpitë e bukura të Kosovës?, rrëfen autori dhe moderatori i këtij projekti.

“Ma pikturo ëndrrën”, emisioni për shtëpitë e bukura të Kosovës ka qenë një projekt, nga i cili para se gjithash kam kuptuar mikpritjen e shqiptarëve si në Kosovë,  ashtu edhe në Maqedoni. Një përvojë që nuk do ta harrojë kurrë”. Kështu u shpreh autori dhe moderatori i emisionit për shtëpitë e bukura të Kosovës, Abaz Krasniqi, i cili përmes këtij emisioni ka prezantuar mbi 100 shtëpi anë e mbanë Kosovës dhe jo vetëm.

Duke rrëfyer eksperiencat e tij gjatë reportazheve për shtëpitë e bukura, autori i emisionit për rtv21.tv tregoi se rastet më të shpeshta kur ishte ndier në siklet kanë qenë në fillim të asaj aventure.

“Shkoja çdo javë në familje të ndryshme, të cilat nuk i kam takuar asnjëherë më parë, u futesha në shtëpi dhe do të qëndroja me ta së paku tri orë. Ka pasë shumë momente të bukura, edhe të sikletshme po ashtu”, tregoi Abazi, duke rrëfyer edhe një moment që i kishte ndodhur në njërin prej xhirimeve të një shtëpie në Gjilan.

“Gjithmonë jemi munduar që të kujdesemi për çdo detaj, që shtëpitë që i kemi xhiruar të dalin sa më bukur. Dhe në një rast në një shtëpi të bukur në Gjilan, kërkuam nga pronari që t’i ndezë qirinjt te një raft nga xhami, për shkak të efektit të bukur që jepnin qirinjtë në kamerë. Pronari pranoi kërkesën tonë, ne e xhiruam raftin, por qirinjtë nuk i fikëm. Vazhduam xhirimin në pjesën tjetër të dhomës së ditës dhe papritmas një krismë e madhe prapa nesh. Të gjithë mbetëm të shtangur. Nuk e dinim nga erdh ajo krismë. Kur kthyem kokën prapa, rafti nga xhami ishte thyer për shkak të temperatures, që kanë krijuar qirinjt. Sigurisht, neve na erdhi shumë keq që ndodhi pikërisht gjate kohës sa ne xhironim, por pronari i shtëpisë na lehtësoi nga kjo ndjenjë kur na tha “taksirat e ka pas këtu, se ne i ndezim përdite, por nuk është thy, kështuqë me rëndësi e keni xhiru hahah”, rrëfeu autori i emisionit, shkruan rtv21.tv

Duke pasur parasysh që gjatë emisionit janë prezantuar shtëpi mahnitëse të vendeve të ndryshme nga Kosova, autori i emisionit u pyet se cilat nga shtëpitë e shumta që ka parë e ka bërë të thotë “Woow”? “Hahaha pyetja që më bëhet gjithmonë e për të cilën unë asnjëherë nuk kam përgjigjie. Çdo javë janë prezantuar shtëpi të ndryshme, me stile të ndryshme, kështuqë çdo javë kam bërë “woow””, tha Krasniqi.

Përderisa ai ka vizituar shtëpi mbresëlënëse kudo në Kosovë dhe jo vetëm, natyrisht që ka pasur edhe reagime të njerëzve si nga rrethi i ngushtë familjar e po ashtu edhe shoqëria. Lidhur me këtë, Krasniqi tha se reagimet kanë qenë nga më të ndryshmet, si në rrjetet sociale ashtu edhe në takimet e ndryshme që ka pasur.

Megjithatë, ai tha se të lumtur dhe krenar për këtë projekt e bëjnë komentet e shumta pozitive si për emisionin ashtu edhe për shtëpitë që janë prezantuar në kuadër të tij. “Ndërsa, edhe më të lumtur më bëjnë komentet pas nderprerjes së emisionit, kur shikuesit vazhdojnë të më kërkojnë rikthimin e tij. Po ashtu, për mua është shumë e rëndësishme që emisioni ka qenë një adresë idesh për shumë njerëz, të cilët kanë dashur të ndërtojnë shtëpi”, tregoi Krasniqi.

I pyetur se nga shtëpitë mahnitëse që ka parë, a e ka frymëzuar ndonjë që ta ndërtojë apo të rimodelojë shtëpinë e tij, Krasniqi tha se shtëpia më e bukur është ajo ku ti ndihesh rehat.

“Rehatia krijohet nëse shtëpinë e ke modeluar në bazë të shijeve dhe mundësive tuaja, kështuqë shtëpinë time e kam arreduar në atë mënyrë që unë dhe familja ime së pari të ndjejmë ngrohtësi dhe të ndihemi rehat në të. Thuhet se “Shtëpia nuk është objekt, është ndjenjë”, u shpreh moderatori.

Ndërkaq, se a pritet të vijë një edicion i ri i “Shtëpive të bukura”, i cili i ka mbetur në mendje shumë shikuesve? Gazetari dhe moderatori i këtij emisioni, Abaz Krasniqi tregoi se edicioni i ri i emisioni për “Shtëpitë e bukura të Kosovës” do të vijë, shkruan rtv21.tv

“Po. Kjo për shkak të kërkesave të shumta së pari të shikuesve të emisionit pastaj edhe të pronarëve të shtëpive të bukura. Jam shumë i lumtur që ky emision është bërë i dashur për të gjithë publikun shqiptar dhe kërkesat e tyre duhet t’i plotesojmë. Andaj, nuk po jap datë se kur do të rifillojmë me emisionin, por një sezon i ri i shtëpive të bukura do të vijë së shpejti”, shtoi Krasniqi.

Përmes RTV21, shikuesit kanë ndjekur që nga vitit 2014 mbi 100 shtëpi të mrekullueshme, duke përfshirë enterierin, eksterierin dhe gjithçka tjetër rreth planeve dhe dekorimeve të veçanta, me shumë stile. Edhe pse ka dy vjet që janë ndalur xhirimet e këtij emisioni, arkiva e reportazheve të emisioneve vazhdon të shikohet shumë./21Media