Haradinaj ka gjetur si fajtorë pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovë

Haradinaj ka gjetur si fajtorë pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovë

Qeveria e Kosovës ka ngritur si shqetësim për qasje selektive të Bashkimit Evropian, lidhur me zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Serbisë dhe Malit të Zi iu janë dhënë datat kur ka mundësi të anëtarësohen por jo edhe Kosovës e Shqipërisë.

Në mbledhjen e Qeverisë u njoftuar se BE është duke përgatitur strategjinë për zgjerim por dokumenti nuk jep kushte dhe as afate kohore sa i përket procesit të integrimit të vendit tonë dhe kjo e bënë të paqartë të ardhmen e raporteve të Kosovës me Bashkimin Evropian. Ky dokument është duke qarkulluar te vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të bëhet publike më 7 shkurt 2018.

Në këtë strategji reflektohet për hapat që duhet të ndërmarrin shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu në këtë strategji tregohet edhe për të arriturat dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmarrë Republika e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Bashkimi Evropian, me nismën e presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker është duke përgatitur strategjinë për zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Hoxhaj ka shprehur shqetësimin për një qasje selektive që i bëhet vendeve të rajonit në këtë dokument strategjik të Komisionit Evropian. Ai po ashtu tha se Kosova rrezikon që në vitet e  ardhme zbatimi i MSA-së të jetë i një anshëm. Ai ka shtuar se Kosovës i duhet një udhërrëfyes se ku mund të jemi pas zbatimit të MSA-së. Të paktën, sipas tij, do të duhej ta dinë, nëse aplikojnë në fund të 2018-të për ta marrë statusin e kandidatit, a mund ta marrim statusin e kandidatit, brenda dy apo tre vite, sikurse që e kanë marrë vendet tjera të rajonit.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj ka gjetur si fajtorë pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovë.

Mbledhja e qeverisë është hapur me një minutë heshtje për politikanin nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra javën e kaluar.

Kryeministri ka theksuar angazhimin e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës që ky rast të zbardhet. Më një minutë heshtje Qeveria e Kosovës gjithashtu ka nderuar edhe liderin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, Jonuz Musliu, i cili ka ndërruar jetë javën e kaluar.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar propozim-vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin e propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme për emërimin e  drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave. Mandati i drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent zgjatë pesë vjet.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme është bërë plotësimi dhe ndryshimi i vendimit për përbërjen e Komisionit të Ankesave për të Huajt. Sipas këtij plotësim ndryshimi, Komisioni i Ankesave për të Huajt ka emëruar anëtarët e komisionit.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe ka aprovuar vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport –“Erasmus plus”.  Është miratuar vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga Ndërtimi i Rrugës Nacionale Prishtinë-Pejë, Segmenti Balince – Pejë, Komuna Malishevë dhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme,të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Rrugës Rajonale Kërpimeh-Mitrovicë”, Zonat Kadastrale Revuq dhe Pakashticë e Poshtme të Komunës së Podujevës.