Fillon periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës

Fillon periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka filluar periudha për ndërrimin e qendrës së votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kjo periudhë zyrtarisht ka filluar sot dhe do të përmbyllet më 14 shtator 2019.

Gjatë kësaj periudhe, është e mundur të dini qendrën tuaj të votimit dhe si ta ndryshoni atë.

Si ta dini qendrën tuaj të votimit?

Të gjithë qytetarët me të drejtë vote do të munden nga dita e sotme ta dinë adresën e saktë të vendvotimit të tyre fare thjeshtë, përmes ueb faqes së KQZ-së.

Mjafton që të shënoni vetëm numrin personal dhe pastaj do të dalë njoftimi me të dhënat tuaja dhe me adresën e saktë të vendvotimit

Si ta ndryshoni qendrën e votimit brenda komunës?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes aplikacionit online mundëson ndryshimin e qendrës së votimit (brenda të njëjtës komunë) duke plotësuar të dhënat e kërkuara. Pasi të dërgohet kërkesa ajo do të shqyrtohet nga shërbimi votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Qendra e Votimit mund të ndërrohet edhe duke vizituar zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, në komunën në të cilën ju jeni votues, duke plotësuar formularin për ndërrim të Qendrës së Votimit.

Ndërsa qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në komunën tjetër duhet ta informojnë Qendrën Komunale të Regjistrimit Civil për ndryshimin e adresës së tyre.

Pas ripërtëritjes së adresës në Regjistrin Civil, ndryshimi i qendrës së votimit do të pasqyrohet edhe në listën e votuesve.