Gërmia e mbushur me qytetarë për 1 Maj

Sikurse vitet e kaluara edhe sivjet Parku Nacional Gërmia mbetet vendi i preferuar për të festuar 1 Majin.

Në Gërmi për festën e 1 Majit nuk kishte qytetarë vetëm nga Prishtina, por edhe nga të gjitha vendet e Kosovës.

Rruga që të shpie për në këtë park ishte bllokuar nga veturat ndërsa vizitorët ishin të shumtë.

Për 1 Maj secili argëtohej në mënyrën e vet. Të rinjtë duke lozur me top, ata më të vjetrit kishin zgjedhur këtë vend për të pushuar ndërsa fëmijët duke u argëtuar në këndet për lojëra.

E për dallim nga ata që kanë zgjedhur këtë park për të kaluar këtë ditë pushimi, disa kishin dalë edhe për të fituar ndonjë euro.

Shitësit e të gjitha gjësendeve ishin sot në Gërmi. Përveç tyre në parkun e vetëm nacional ishin edhe ekipet ambulantore, ato të zjarrfikësve por edhe pjesëtarë të Policisë. Zaim Qafleshi kishte dalë në Gërmi sot për të shitur punimet e tij prej druri. Pavarësisht se është ditë feste, Zaimi ka shfrytëzuar ditën kur ka më shumë njerëz për të shitur punimet e tij. “Ka shitje. Zakonisht të rinjtë i preferojnë këto figura , i shënojnë dy iniciale apo emrat në mes veti janë figura druri që i punojë vetë dhe rinia ka një simpati ndaj këtyre figurave” , tha Qafleshi.

Për Nijazi Mustafën ky vend i gjelbëruar i kryeqytetit nuk është shumë i veqantë pasi që thotë se vjen gati çdo ditë. Sipas tij hapësira e Gërmisë është i vetmi vend që i ka mbetur Prishtinës pa u dëmtuar nga qytetarët që e vizitojnë. Mustafa mendon se sot do të duhej që të gjithë të protestojnë.

Asllan Qerkinaj, kishte ardhur nga Skënderaj që ditën e 1 Majit ta kalojë në Gërmi. Pasi që ditëve tjera është në punë, Qerkinaj tha se sot e ka shfrytëzuar këtë ditë për të pushuar.“Meqenëse është ditë ndërkombëtare normal që çdo punëtor nuk është i kënaqur me kushtet që i ka dhe në shumë mënyra ose në shumë raste ka nevojë ndoshta edhe me protestu por ne e pame këtu edhe sot me dal me pushu, kemi sfida nuk jemi të kënaqur me të gjitha kushtet që i kemi por megjithatë mirë” , tha ai.

Ndonëse nuk është në punë, për të festuar 1 Majin në Gërmi kishte dalë edhe Zejnie Paçarizi nga Malisheva. Ajo ndjehet e zhgënjyer me të drejtat e punëtorëve që janë tani për tani në Kosovë. “Sa i përket Republikës së Kosovës të drejtat e punëtorëve nuk respektohen sa duhet , për arsye se ka shumë punëtorë që nganjëherë punojnë edhe jashtë orarit të punës dhe zakonisht nuk i marrin pagesat shtesë që bëjnë për punën e tyre nuk ka sigurime shëndetësore për punën që bëjnë. Fuqia punëtorë në Kosovë është e mjaftueshme mirëpo sa i përket respektimit të tyre nuk është e mjaftueshme sepse ata nganjëherë edhe shtypen në mënyra të ndryshme”, tha ajo.

Ndryshe mendon Rilind Morina. Ky qytetar nga Klina tha se punëtorët në Kosovë respektohen mjaftueshëm.”Respektohen të gjitha të drejtat e punëtorëve dhe mendoj që janë të plotësuar të gjitha kushtet. Punëtorët bëjnë pushim këtu pasi sot është dita e tyre”, tha Morina.

Gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur disa protesta, si ajo e Sindikatës së Sektorit Privat, punëtorëve të KEK-ut, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, në të cilat kanë marrë pjesë një numër i vogël i qytetarëve.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës. Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1855: me këtë përmbajtje: “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”. Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, me 1 maj 1866. Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1867.

Back to top button