Demaj: Nuk do të heqim dorë nga kthimi i pronave

Demaj: Nuk do të heqim dorë nga kthimi i pronave

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Marjan Demaj tha se asnjëherë dhe me asnjë kusht nuk do të heqin dorë nga kthimi i pronave të saj qoftë ato të uzurpuara apo ato të marra nga ish-sistemi i Millosheviqit.

Demaj tha se pas kësaj do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së dhe në atë mbledhje do të përpilohet plani se si të veprohet pas vendim të Gjykatës së Apelit e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta konsideruar të tërhequr padinë e UP-së për pronësinë e tokës, ku gjendet Kisha Ortodokse.

Ai tha se ka shumë prona që i janë marrë Universitetit, e jo vetëm këto 4 hektarë.

Rektori Demaj shtoi se Kuvendi Komunal ia ka dhënë kishës atë tokë dhe është dashur që Kuvendi të marr vendim për marrjen e saj.

Sekretari i UP-së Esat Kelmendi tha se kanë përpiluar padinë e re në Gjykatën Themelore pët ta kthyer tokën e uzurpuar.

Kelmendi tha se mosshkuarja e tyre në seancën gjyqësore ka ndodhur pasi Gjykata kishte dërguar ftesën në kohën e protestave dhe se ajo ka mbetur pa u parë nga menaxhmenti.

Ndryshe toka rreth 4 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e UP-së, do t’i takojë Kishës Ortodokse pasi që Gjykata e shkallës së dytë dje i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

 

UP humb gjyqin, toka në kampus i mbetet Kishës