Jahjaga i kërkon Engelit të organizojë seancë dëgjimore për krimet serbe

Jahjaga u takua me mikun e shqiptarëve, Eliot Engel

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar me mikun e shqiptarëve, kongresmenin amerikan, Eliot Engel. Në këtë takim Jahjaga i ka dorëzuar një letër Engelit me anë të së cilës i ka kërkuar organizimin e një seance dëgjimore, për krimet e kryera nga Serbia ndaj popullatës civile në Kosovë.

“Takim i mirë me kongresmenin amerikan, Eliot Engel, njëherit edhe kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. Gjatë këtij takimi, kongresmenit Engel ia dorëzova një letër me anë të së cilës kërkova që të shqyrtohet mundësia për organizimin e një seance dëgjimore për krimet e kryera nga aparati shtetëror i Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, duke përfshirë dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte. Edhe pothuajse pas 20 viteve nga përfundimi i luftës ne ende nuk kemi asnjë person që është dënuar për këto krime. Për të ndërtuar paqen e qëndrueshme, adresimi i shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë është i domosdoshëm. Historia nuk mund të rishkruhet dhe dallimi në mes të agresorit dhe viktimës duhet të jetë i qartë.”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Sipas Jahjagës organizimi i kësaj seance dëgjimore është tejet e rëndësishme.

“Për këtë arsye, është e rëndësishme që të organizohet kjo seancë dëgjimore me përmasa ndërkombëtare që të mbijetuarit e dhunës seksuale, familjarët e personave të pagjetur, familjaret e viktimave të luftës, aktivistët për paqe dhe liri, dhe njohës të rrethanave të luftës në Kosovë të mund të dëshmojnë për krimet e luftës të kryera në Kosovë nga forcat Serbe. Duke ndarë fajin individual nga ai kolektiv ne kontribuojmë në të vërteten, çasjen në drejtësi dhe pajtimin në rajon.”, ka shkruar Jahjaga në një postim.

Dje, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka njoftuar se 911 persona kanë dorëzuar aplikacionet për pensione, me pretendimet se janë viktima të dhunës seksuale gjatë konfliktit të fundit në Kosovë, që përfshinë periudhën 1998-1999. 190 personave deri tani u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, kurse 119 aplikacione tjera janë refuzuar dhe pritet rivlerësimi i tyre në shkallën e dytë, raporton Rel. Aplikacionet tjera është thënë se janë procedurë të shqyrtimit./21Media

Back to top button