Sipas Krasniqit, grupet proruse po e pengojnë zhvillimin e Kosovës

Sipas Krasniqit, grupet proruse po e pengojnë zhvillimin e Kosovës

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ia ka kushtuar një shkrim të gjatë lëvizjes së rusëve në Kosovë dhe grupeve të tjera proruse. Sipas Krasniqit, grupet proruse që janë anti-Kosovë e anti-NATO janë duke e penguar zhvillimin e Kosovës dhe janë duke rrezikuar sigurinë kombëtare.

Krasniqi që ka qenë vet në pushtet për disa vite, por edhe pjesë e partive që kanë pasur pozita të larta udhëheqëse në shtet, thotë se po të investonin në arsim e siguri kombëtare më shumë se sa në asfalt, në Kosovë nuk do të flitet për rrezikun serb, rus apo grek.

Lexoni të plotë shkrimin e Jakup Krasniqit për rusët në Kosovë:

A ËSHTË SHQETËSUESE LËVIZJA E RUSËVE NË KOSOVË?

Lëvizja e rusëve dhe e grupeve të tjera lindore që veprojnë më shumë se 20 vjet në Kosovë për mua nuk është shqetësuese! Të gjitha këto grupe ruse e proruse, së bashku, thuaja në një flamur: anti- Kosovë, anti-NATO dhe anti-Perëndim, nuk janë duke sjellë zhvillim, progres e siguri kombëtare, por pasiguri, prapambeturi, primitivizëm, që mund të rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar.

Mosfunksionimi i institucioneve më vitale të shtetit, paaftësia e drejtuesve të shtetit për t’i funksionalizuar institucionet kushtetuese përgjegjëse për sigurinë kombëtare e shtetërore, për t’i mbrojtur vlerat kombëtare, kulturore, arsimore, shkencore, zhvillimore dhe sigurinë kombëtare nga çdo armik i kombit dhe i shtetit ngado që mund të vijnë ata janë shqetësuese për mua!

Një proverb thotë: “Ja dynjanë ja ahiretin, të dyja nuk çohen”! E qeveritarët nuk mund të punojnë edhe për shtetin edhe për veten! Gjatë këtyre viteve i kemi parë të bëjnë shumë për vete e tepër pak për shtetin.

Po të mendonim e punonim shumë për shtetin e pak për veten, do të flisnim më pak për rreziqet që i kanosen kombit e shtetit! Institucionet kushtetuese do ta garantonin sigurinë.

Sikur gjatë këtyre viteve të lirisë e të pavarësisë të investonim në autostradën e arsimit e të edukimit, të mbrojtjes e të sigurisë kombëtare, e pak në autostradat e asfaltit, nuk do të flisnim për rrezikun serb, rus, grek apo ndonjë tjetër.

Secili njeri e ka të drejtën të punojë e të pasurohet për vete, për familjen e tij, për gardën e tij të mbrojtjes personale, me investimet e tij, nga biznesi i tij, por jo me parat e buxhetit të shtetit, me parat e publikut të varfër. Me taksapaguesit, të cilët të vetmit janë të ndërgjegjshëm dhe me djersën e tyre po e mbajnë këtë copë shtet!/kallxo.com