Dimitrov: Për një person s’mund të heqë dorë i gjithë populli

Dimitrov: Për një person s’mund të heqë dorë i gjithë populli

Tema për paraburgimin e Prokurores Speciale, Katica Janeva, dhe skandali “Reket” arritën deri në Helsinki. Kryeqyteti i Finlandës është nikoqir i takimit joformal dyditor të ministrave për punë të jashtme të vendeve anëtare të BE-së dhe ministrave të vendeve kandidate për anëtarësim.

Edhe pse cilësohet si takim joformal, megjithatë temat të cilat do të hapen kanë rëndësi të madhe për BE-në, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, siç janë Brexit, por edhe marrja e datës për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Megjithatë, para fillimit të takimit, gazetarët nuk e lëshuan mundësinë që ta pyesin ministrin Nikolla Dimitrov për Katica Janevën dhe “Reket”.

Duke folur për Prokuroren Speciale, Dimitrov rikujtoi se ajo është në paraburgim, por se duhet të respektohet perzumimi i pafajësisë.

Megjithatë, ka indice se është e përfshirë, që mbetet ndjenja e hidhur për shkak se etja për drejtësi është e madhe në vend edhe te njerëzit. Ajo që është më e rëndësishmja është se kur një problem zbulohet është kyçe që sistemi të reagojë dhe tani sistemi e ka patjetër që të reagojë. Një person nuk mund të jetë arsyeja që i gjithë populli të heqë dorë, ne e kemi patjetër të vazhdojmë ndërsa rruga përpara është sundimi i së drejtës”, deklaroi Dimitrov.

Sundimi i së drejtës është element kyç për marrjen e datës për negociata. Por, për momentin ka edhe pengesë tjetër – Franca. Parisi zyrtar edhe më tej është kundër zgjerimit të BE-së.

Nuk duhet të flasim për zgjerim, por për kompletim për shkak se rajoni është i rrethuar me vendet anëtare të BE-së, harta e Evropës do të mbetet e njëjta pasi që të anëtarësohen këto vende, harta e Evropës nuk do të ndryshojë, nuk do të zgjerohet edhe nëse e bëjmë këtë ashtu siç duhet, të gjithë do të jemi fitimtarë. Ajo për të cilën lufton Makron në BE është e njëjta ajo për të cilën ne luftojmë në rajon, luftojmë për të njëjtat vlera”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut.

Por ka edhe ministra të vendeve anëtare të BE-së që vlerësojnë se vendet perëndimore janë hipokrite ndaj vendeve kandidate.

Sinqerisht, përvoja ime tregon se disa kolegë tanë të Evropës Perëndimore vetëm flasin për zgjerim, por kur vjen koha për të sjellë vendim, ata zakonisht janë kundër. Kjo është, të jemi i sinqertë, hipokrizi që shkakton shqetësim”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Sijarto.

Shpresoj se do të kemi  zgjidhje të mirë në tetor. Maqedonasit kanë punuar shumë për këtë. Njëjtë edhe shqiptarët. Neve na mbetet të bëjmë atë që duhet. Historia tregon se çdoherë hapen dritaret, por kur mbyllen është keq”, potencoi Zhan Asselborn, ministër i Punëve të Jashtme i Luksemburgut.

Nëse flasim për integrimin e Ballkanit perëndimor, do të ishte mirë ta kemi brenda. Por, procesi duhet të zhvillohet sipas performancës së tyre, përkatësisht sipas asaj që e kanë bërë e jo sipas kalendarit”, tha ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Linas Linkeviçius.

Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, pret vendim për fillim të negociatave në tetor, më saktësisht, siç tha Dimitrov në Helsinki, më 15 tetor. Mundësia është e madhe që vendimi të sillet vetëm për Maqedoninë e Veriut, ndërsa të prolongohet për Shqipërinë ndaj të cilës më shumë vende anëtare kanë rezerva të mëdha./TV21