Fajëson institucionet e Kosovës

Fajëson institucionet e Kosovës

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka fajësuar institucionet e Kosovës se nuk kanë marrë me kohë seriozisht paralajmërimet e tyre të mëhershme për mbajtjen e grevës me kërkesën për ngritjen e koeficientit të pagave për mësimdhënësit, gjë e cila çoi në grevën tre javore në arsim.

Ai në një emision televiziv ka thënë se do t’i dërgojnë një letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj gjuhës së përdorur në Kuvend nga një pjesë e deputetëve gjatë debatit parlamentar për kompensimin e orëve të humbura.

“Ne nuk jemi sindikatë kriminale, sepse nuk do të ishim pjesë e sindikatave të botës”, ka thënë Jasharaj.

Sipas tij, këtë vit shkollor nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura as gjatë pushimit pranveror dhe as të shtunave, por as në fund të vitit shkollor.

I pyetur nëse merret vendim nga institucionet të ketë mësim, Jasharaj ka paralajmëruar se do të rikthejnë grevën nëse do të ketë presione.

“Më mirë le të lihen mësimdhënësit të punojnë me nxënësit, sesa të shtunave, pasi kemi raste në shkolla kur krijohen tensione për mbajtje me dhunë të mësimit ndaj mësimdhënësve”, ka thënë ai.

Komisioni parlamentar për Arsim ka propozuar që më 3 prill të ftohen në ballafaqim përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe këshillit të prindërve për mos kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve. Anëtarët e këtij komisioni shprehën shqetësimin, për siç thanë ngërçin në arsim, i cili po bëhet si pasojë e mos kompensimit të orëve.