Jashari: Ka zvarritje ndaj lëndëve për shkeljen e të drejtave të njeriut

Jashari shpalos rezultatet e 2019-tës

Avokati i Popullit Hilmi Jashari, gjatë prezantimit të rezultateve të institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2019, tha se janë trajtuar mjaft probleme duke përfshirë tri shtyllat e shtetit, veçmas në fushën e legjislacionit në vend që ende nuk ka zbatim të plotë të ligjeve.

Sa i përket sistemit gjyqësor, Jashari tha se vazhdon të ketë zvarritje të shqyrtimit të lëndëve që paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Ai ka përmendur disa rasteve me rëndësi të trajtuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit. “Është trajtuar një rast me rëndësi për trajtimin e barabartë të pensionistëve nga ana e bankave komerciale në Kosovë në ofrimin e shërbimeve të kreditit bankar, (206 mijë e 534 pensionistë). Po ashtu, rasti tjetër ka qenë me detyrimet pozitive të shtetit përkitazi me mbrojtjen nga dhuna në familje për të drejtën në jetë, që burojnë nga Kushtetuta dhe nga neni 2 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut”, tha Jashari, duke shtuar se është trajtuar edhe çështja e fëmijëve në situatë rruge.

Avokati i Popullit përmendi edhe dy ligjet, atë për Zyrtarë Publik dhe për Pagat, që janë pezulluar nga Gjykata Kushtetuese me inicim të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Ai tha se nga kushtetuesja kanë pranuar në Institucionin e Avokatit të Popullit vendimin për pezullimin e ligjit të pagave.

Ndërsa, ankesat dhe rastet për qasje në dokumente publike deri më 13 dhjetor numri i ankesave është 102 ose 70 për qind ngritje në krahasim me vitin 2018.

Sa i përket mungesës së transparencës, e para sipas Jasharit është Ministria e Infrastrukturës për mungesë të llogaridhënies.

Numri i ankesave të paraqitura në Institucionin e Avokatit të Popullit për vitin 2019 ishin 1876, ndërsa numri i rasteve të hapura për hetim nga ankesat e paraqitura kanë qenë 878, kurse rastet e hapura Ex Officio 51.

Back to top button