"Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave të Njeriut në Kosovë përmes Shoqërisë Civile Aktive"

“Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave të Njeriut në Kosovë përmes Shoqërisë Civile Aktive”

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe Artpolis organizuan sot takimin përmbyllës të projektit: “Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave të Njeriut në Kosovë përmes Shoqërisë Civile Aktive”, gjatë të cilit u prezantua raporti “Analizë e shkurtër mbi zhvillimet e fundit në sektorin e të Drejtave të Njeriut në Kosovë”.

Raporti ofron një pasqyrë të zhvillimeve të fundit legjislative dhe zbatuese në sektorin e të drejtave të njeriut në Kosovë, me theks të veçantë në viktimat e dhunës me bazë gjinore duke përfshirë dhunën në familje, dhunën seksuale, sulmet dhe ngacmimet seksuale, si dhe krimet e dhunshme kundër komunitetit LGBTI.

Raporti ofron një analizë të Strategjisë për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës për vitet 2019-2023, dhe identifikon mungesën e objektivave të nevojshme për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Së fundi, ky raport i shkurtër ofron rekomandime konkrete të cilat synojnë të përmirësojnë gjendjen aktuale me të cilën ballafaqohen viktimat e dhunës me bazë gjinore gjatë përpjekjes për të kërkuar drejtësi.

Paneli i diskutimit përbëhej nga Hilmi Jashari, Avokati i Popullit, Reyes Charlecuella nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ariana Qosaj-Mustafa, drejtoreshë e programit dhe hulumtuese e lartë në KIPRED, si dhe Rreze Hoxha, hulumtuese nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Gjatë këtij diskutimi u përmendën disa çështje shumë të rëndësishme për sektorin e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, duke përfshirë amandamentimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dështimin e amandamentimit të Kushtetutës dhe përfshirjes së Konventës së Stambollit si instrument me aplikueshmëri të drejtpërdrejtë në Kosovë si dhe progresin e raportimit e rasteve të shkeljes së të drejtave të njeriut në institucionet shtetërore përkatëse”, thuhet në komunikatë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha që “Kosova është përballë shumë sfidave sa i përket perspektivës së ardhshme marrë parasysh që ende nuk jemi pjesë e mekanizmave mbrojtëse për të drejtat e njeriut”.

Gjithashtu, ai theksoi që rekomandimet e dala nga ky institucion duhet të implementohen nga të gjitha insitutucionet përkatëse.

Përfaqësuesja nga Zyra e BE-së, Reyes Charlecuella, theksoi rëndësinë që shoqëria civile ka në rritjen e vetëdijesimit dhe respektimit të të Drejtave Themelore të Njeriut, gjë që ishte edhe qëllimi kryesor i këtij projekti.

Ajo shtoi se Zyra e BE-së do të vazhdojë të mbështesë projekte të tilla të cilat kanë në fokus të drejtat e njeriut.