Ceremonia u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Ceremonia u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, Komiteti Paraolimpik i Kosovës ka mbajtur sot ceremoninë e fillimit të aktiviteteve të saj në Komunën e Vushtrrisë.

Ceremonia u zhvillua në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ka mbledhur mjaft qytetarë, që janë të interesuar të përcjellin këtë ngjarje, kryesisht persona me nevoja të veçanta, pasi që në kuadër të këtij aktiviteti është mbajtur miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara.

Presidentja e Komitetit Paraolimpik, Njomza Emini, tha se përmes sportit mund të lidhen ura bashkëpunimi dhe të ofrohen njerëzit me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve.

Emini ka vazhduar me një lajm të mirë, duke bërë të ditur se Komiteti Paraolimpik i Kosovës ka aplikuar për pranim në komitetin paraolimpik ndërkombëtar.

“Si komitet, dua ta ndaj këtë lajm me ju, kemi aplikuar në Komitetin Paraolimpik Ndërkombëtar, me mbështetjen e Ministrisë kemi aplikuar dhe jemi duke u zhvilluar procedurat që në asamblenë që mbahet në vitin e ardhshëm. Vitin e ardhshëm shpresoj dhe uroj të jemi pjesë e komitetit ndërkombëtar paraolimpik”, ka potencuar Emini.

Ndërkohë, Kujtim Gashi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka premtuar se gjithë mekanizmat do të bashkohen që të bëjnë të mundur që personat me nevoja të jenë dhe të ndihen qytetarë të barabartë të vendit tonë.

Ky aktivitet ka bashkuar disa institucione dhe mekanizma institucionalë, gjë që dëshmon forcën e sportit që të bashkojë njerëzit.

“Ne në fakt për herë të parë në Kosovë po e organizojmë Javën Evropiane të Sportit. Është një nismë jashtëzakonisht e mirë e cila si model po shihet jashtëzakonisht mirë edhe për masivizimin e sportit, i cili në të njëjtën kohë është edhe një përkushtim i yni, i ministrisë së sportit, Qeverisë së Kosovës për të pasur sa më shumë qytetarë dhe sa më shumë të ri e të reja por, edhe persona të veçantë në masivizimin e sportit”, ka potencuar Gashi.

Ake Roghe, drejtor i departamentit për rend dhe siguri publike në kuadër të OSBE, ka kujtuar që Komisioni Evropian e mbështet këtë aktivitet.

Ai tha se njerëzit me aftësi të kufizuar përbëjnë rreth 10% të popullsisë gjenerale, prandaj duhet të angazhohemi të integrojmë këtë kategori njerëzish në të gjitha sferat e shoqërisë dhe ky aktivitet është në funksion të këtij qëllimi.

“Sot kam një ndjenjë që po qëndroj para evropianëve të rinj, që unë besoj, meritojnë të jenë pjesë e Komitetit Ndërkombëtar Paraolimpik. Ngjarjet e tilla mund të shfaqin aftësinë dhe talentet tuaja dhe ngjallin ndjenjën që të gjithë mund të jemi të suksesshëm dhe të vlefshëm për komunitetit tonë”, ka thënë Roghe.

Aktiviteti është organizuar nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe do të vazhdojë edhe ditëve në vazhdim me olimpiadën paraolimpike për persona me nevoja të veçanta.