Javën e ardhshme në Prishtinë mbahet konferenca shkencore, “Studime për leksikun dhe leksikografinë dialektore”

Javën e ardhshme në Prishtinë mbahet konferenca shkencore, “Studime për leksikun dhe leksikografinë dialektore”

Kjo konferencë një ditore organizohet nga Dega e Gjuhësisë e Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) dhe mbahet më 9 tetor 2019 duke filluar nga ora 10:00 në IAP.

Qëllimi i kësaj konference, sipas organizatorëve është prezantimi i punës dhe projekteve që janë realizuar dhe që janë në realizim e sipër, njëkohësisht edhe nxjerrja në pah e studimeve dhe të arriturave të viteve të fundit nga fusha e leksikografisë.

Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë në IAP, ka potencuar për kallxo.com se konferenca “Studime për leksikun dhe leksikografinë dialektore” organizohet në kuadër të realizimit të planit të punës së Degë së Gjuhësisë së Institutit Albanologjik,  për vitin 2019.

“Ideja për organizimin kësaj konference ka rrjedhur nga projektet të cilat janë realizuar viteve të fundit në degën tonë. Në Degën e Gjuhësisë janë realizuar një numër i konsiderueshëm i projekteve nga fusha e leksikut. Qëllimi i kësaj konference është prezantimi i punës dhe projekteve që janë realizuar dhe që janë në realizim e sipër, por edhe nxjerrja  në pah e studimeve dhe të arriturave të viteve të fundit nga kjo fushë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, përveç studiuesve nga Instituti Albanologjik, në këtë konferencë marrin pjesë studiues të shquar  të shqipes në përgjithësi, e të leksikut në mënyrë të veçantë.

Gjuhëtari Berisha ka thënë se në këtë aktivitete do të ketë pjesëmarrës nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Gjilanit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ASA) në Tiranë, Universiteti i “Ismail Qemaili”  Vlorë, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Katedra e Albanologjisë e Universitetit të Beogradit, Universiteti “Cyril and Methodius” Shkup, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore etj./kallxo.com