“Jelekverdhët” e Francës tash e tri javë në protestë

Më 17 nëntor filloi protesta e “jelekverdhëve” të Francës

“Jelekverdhët” apo siç njihen protestuesit e Francës, tashmë kanë hyrë në javën e tretë të protestave kundër vendimit të presidentit francez, Emmanuel Macron për rritjen e taksës për karburante.

Në Francë, çmimi i karburantit është rritur me rreth 23% gjatë 12 muajve të fundit, në një mesatare prej 1,51 euro, më e larta që prej viteve 2000. Vendimi për të shtuar edhe 6,5 cent për litër benzine dhe 2.9 cent mbi litrin e naftës, duke filluar nga 1 janari i 2019-ës, bëri që zemërata popullore të shpërthente në këtë formë.

Protesta e tyre filloi më 17 nëntor, pas atij vendimi të Qeverisë franceze për të rritur taksat në dizel dhe vaj, por Macron pas tri javësh protestë vendosi taksë tjetër, por protestuesit po kërkonin më shumë. Pjesa më e madhe e punonjësve në Francë janë të zemëruar me rrogat e vogla, taksat e larta dhe shkallën e lartë të të papunësuarve që i kanë lënë shumicën të vuajnë financiarisht.

Të martën, qeveria mori vendim ta shfuqizojë rritjen e taksës për gjashtë muaj. Por, në vend që protestuesit të qetësohen, ky vendim nxiti grupe tjera të bashkohen, duke pritur koncensus. Protesta veç se arriti dimensione më të mëdha.

Nga tri javë protestash kanë vdekur katër persona, qindra të lënduar dhe qendra e Parisit është mbushur me vetura të djegura dhe dritare të thyera.

“Jelekët e verdhë”, siç i quajnë për shkak të veshjes fosforeshente që i bën të dallohen qartë në rrugë, u kthyen së fundi në frymëzim edhe për grupe nxënësish në gati 100 gjimnaze të vendit, të cilët kanë dalë në tubime kundër reformave në arsim.  Të pakënaqur u shprehen edhe drejtuesit e auto-ambulancave, që ngritën zërin kundër një sërë reformash të sistemit shëndetësor për të cilat thonë se mund të prekin shërbimet e tyre. Reformat, tha një prej tyre për Reuters, do të na godasin financiarisht e do të shkatërrojnë kompanitë tona.“Do të ketë pushime nga puna, për këtë të jeni të sigurt”, u shpreh ai.

Ndërkaq, sot policia në Paris ka gjuajtur gaz lotsjellës kundër “jelekverdhëve” në qendër të Parisit, në protestën e organizuar kundër rritjes së çmimit të karburanteve. Rreth 5 mijë protestues janë bashkuar në qendër të kryeqytetit, dhe gati 211 persona janë arrestuar. Te protestuesit, policia ka gjetur armë të ftohta, si çekiç, shkopinjë bejsbolli, etj.

Policia ka përdorur gazlotsjellës si përgjigje, që t’i detyrojnë protestuesit të ndalojnë me veprime. Sipas BBC-së, policët janë duke përdorur taktika të ndryshme këtë vikend, e sidomos për t’i larguar protestuesit nga pozicionet e tyre.

“Ne kemi ardhur për marsh paqësor, e jo të bëhemi copa-copa”, ka thënë një protestues për Reuters. “Ne duam barazi, ne duam të jetojmë, jo të mbijetojmë”. Por, në rrjete sociale disa aktivistë kanë kërkuar të bëhen sulme mbi policët dhe pallatin Elysee.

Këtë herë tensionet ishin më sporadike. Kazanët u dogjën dhe policia ka përdorur ujë kundër protestuesve, por niveli i dhunës është më i vogël sesa javën e kaluar.

Back to top button