Vijnë reagimet e para pas humbjes së Kosovës

Vijnë reagimet e para pas humbjes së Kosovës

Kosova u mposht sonte nga Çekia me rezultat 1:2, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. Pas kësaj humbje, Kosova i ka humbur shanset për kualifikim pasi renditet në vendin e tretë me 11 pikë, katër pikë me pak se Republika çeke.

I pari i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh krenar me lojën e mrekullueshme të yjeve të kombëtares së Kosovës. Përmes një shkrimi në Facebook, u shpreh se futbollistët e kombëtares janë heronjtë tanë.

“Në humbje dhe fitore, me apo pa pikë, të kualifikuar apo jo, ju na keni dhënë shumë emocione, shumë krenari. Jeni heronjtë tanë. Jeni shpresa jonë!”, shkroi ai.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj u shpreh shumë krenar me lojën e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Dy kombëtaret tona, Kosova dhe Shqipëria, që na bashkojnë të gjithëve pranë vlerave që trashëgojmë, edhe pse nuk arriten fitore, sërish na dhuruan emocione të paharruara dhe spektakël në fushën e blertë. Djemtë e futbollit shqiptar edhe sonte dëshmuan se për nderin e Atdheut nuk kursejnë asgjë. Sonte, si përherë, Kosova dhe Shqipëria fituan respekt.”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli i falënderoi thellësisht lojëtarët e kombëtares së Kosovës për këtë spektakël.

“Kosova meriton duartrokitje dhe djemtë tanë falënderime për krenarinë që na japin. Ëndrra nuk ka përfunduar për Europianin 2020. Këta djem kanë treguar shpirt e besim të jashtëzakonshëm dhe na kanë dhënë gjithë këtë kohë emocione që kurrë nuk do t’i harrojmë. Njejtë ishte edhe sonte. Falemnderit nga zemra. Gjithmonë pranë tyre!”, shkroi Veseli.

Golin e parë e shënuan “Dardanët”, përmes Atdhe Nuhiut në minutën e 50-të, ndërsa vendasit arritën ta përmbysin rezultatin me anë të Alex Kral, i cili shënoi në minutën e 71-të dhe në minutën e 79-të Celustka./21Media