I jepet lamtumira e fundit poetit Halil Haxhosaj

U lartësua figura e Haxhosajt

Me rastin e vdekjes së profesorit dhe krijuesit letrar Halil Haxhosaj, me organizim të përbashkët të Komunës së Gjakovës dhe të klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”  është mbajtur mbledhje komemorative si dhe janë mbajtur homazhe në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”.

Para shumë familjarëve, kolegëve të arsimit dhe atyre krijues, si dhe qytetarë të tjerë, është folur për biografinë e pasur profesionale dhe krijuese të Halil Haxhosajt, e në shprehjen e dhimbjes dhe të ngushëllimeve,

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se profesor Halil Haxhosaj jetën e tij deri në pension ia kushtoi me tërë qenien arsimit të gjuhës shqipe, edhe atëherë kur ishin vitet më të rënda të segregacionit dhe përjashtimit nga jeta sociale të qenies sonë kombëtare nga ish – pushtuesi serb.

“Autor krijues, kritik letrar dhe teatral, recensionist, dedikues dhe pasionant i madh i fjalës së shkruar, Halil Haxhosaj na ka lënë vepra që në perspektivë do të jenë të ranguara në nivele të larta studimore. Fjalë pak, kurioz dhe modest, i pandalshëm dhe i palodhshëm ,energjik dhe durimtar, Halil Haxhosaj jo vetëm se e ka, porse edhe do të ketë vendin meritor në fushën e krijimtarisë letrare, si formë dhe mënyrë e depërtimit në çdo cep të lexuesit shqiptar dhe më gjerë, për tu bërë përherë i kujtueshëm, për shkak të veprave të tija”, ka thënë Kusari – Lila.

Gentiana Muhaxhiri, kryetare e klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, ka përmendur kontributin e Haxhosajt jo vetëm në krijimtarinë individuale dhe të arriturat në letërsi, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për organizim tradicional të mitingut të poezisë që mbahet në Gjakovë.

Ngushëllime të veçanta në emër të krijuesve kuksian dhe prizrenas ka shprehur krijuesi i njohur nga Shqipëria, Petrit Palushi, ndërsa në emër të kolegëve ka ngushëlluar Isuf Asllani, drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi”.

Emocionuese kanë qenë edhe fjalët e Muharrem Kurtit, mik dhe koleg i të ndjerit Haxhosaj, i cili ka pohuar se është e pakët të flitet për vlerat dhe meritat e Halil Haxhosajt.

Para mbajtjes së homazheve dhe varrimit në varrezat e qytetit, në mbledhjen komemorative gjithë të pranishmit dhe të tjerët që kanë shprehur ngushëllime në mënyrë të ndryshme, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet Mehmet Haxhosaj, i biri i profesorit dhe krijuesit Halil Haxhosaj.

Back to top button