“Jo më luftëra” – Deja vu e gjenocidit

Gazetarja ukrainase dhe studiuesja e komunikimit, medias dhe gazetarisë, Delfina Ertanowska  që vepron në Poloni jep një vështrim ekskluzivisht për portalin rtv21.tv mbi krimet e luftës në Ukrainë, pas sulmeve ruse në Bucha
Rreth vitit 1940, afërsia e vijës së demarkacionit midis Rajhut të Tretë dhe BRSS në lumin San. Vazhdojnë luftimet mes ish-aleatëve. Në një nga fshatrat aty pranë, një ushtar i ushtrisë gjermane plagoset, është i shtrirë në rrugë, një tank rus shkon drejt tij, pasi kontrollon se i plagosuri është i vetëdijshëm – “ushtarët” rusë fillojnë argëtimin e tyre duke pushtuar trupin e tij me tankun e tyre. I plagosuri bërtet me frikë. Duhen disa minuta, para dhe mbrapa. Dëshmitare e asaj se si e përshkroi ajo vetë – “aktin barbar”, është stërgjyshja ime, ajo vdiq në mënyrë ironike në vitin 1995, 2 muaj para ditëlindjes së saj të 100-të, më shumë se një herë ka arritur të na tregojë këtë histori, e cila siç tha ajo, mbeti në kujtesën e saj përgjithmonë. Ajo tha se gjermanët ishin brutalë, por ajo që bënë rusët ishte një sjellje kafshërore, ajo kurrë nuk kishte hasur në një degjenerim të tillë më parë.
2022 Bucha, Hostomelʹ, Borodyanka – Kryetari i qytetit të Ukrainës njofton se trupat e grave dhe vajzave të shpërndara përgjatë rrugës u shtypën nga tanket, disa prej tyre duhej të largoheshin nga asfalti me lopata. Mbi tetëdhjetë vjet – 80 vjet që nuk e kanë ndryshuar mentalitetin e rusëve. Pikërisht të njëjtin barbarizëm që përdorën gjatë Luftës së Parë Botërore, Republikës Sovjetike, Urisë së Madhe, Luftës Polako-Bolshevike, Luftës së Dytë Botërore, masakrave të Katinit dhe periudhës komuniste. Gjenocid në shkallë të gjerë.
1995 Srebrenicë, 27 vjet pas gjenocidit më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vrarë mbi 8000 burra dhe fëmijë. Në një kohë kur Evropa i premtonte vetes “jo më luftëra” – bota po shikon fotografi nga Ukraina.
1998-1999 Varreza masive në Kosovë, ekzekutime, civilë të zhdukur, trupat e të cilëve nuk janë gjetur deri më sot. Mbi 13 vjet zhvarrim dhe dokumentim të krimeve të luftës nga një ekip ndërkombëtar mjekësh dhe patomorfologësh.
Flamujt e verdhë dhe blu, simbolet kombëtare të Ukrainës, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ato i lidh jo vetëm ngjashmëria e ngjyrave, por edhe fati tragjik i viktimave të gjenocidit. Cili është ndryshimi midis dy “ngjarjeve” të bëra nga rusët dhe Republika Serbe? – asnjë! Të dy vendet janë aleatë edhe sot e kësaj dite. Ata e mohojnë masakrimin, autorët e së cilës ishin ata.
Kramatorsk, Mariupol, Kharkiv – dhe shumë qytete, fshatra, vende të tjera më të vogla; varre masive, krematoriume të lëvizshme në të cilat rusët djegin trupat e viktimave në mënyrë që shkalla e krimeve të tyre të mos dalë në dritë. Përdhunimi në grup i fëmijëve 3-vjeçarë, adoleshente, gra, të gjithë para familjes. Brutaliteti i ushtrisë ruse e tejkalon edhe atë brutalitet të ISIS-it. Kudo që shfaqen përhapin vdekjen dhe vuajtjen, shkatërrojnë gjithçka.
Vetëm në Mariupol, më shumë se 5000 njerëz janë vrarë, Irpinʹ, Borodyanka varrosen 400-500 njerëz çdo ditë, dhe viktima të reja gjenden çdo ditë.
Ashtu si në Ballkan dhe në Ukrainë, shumë njerëzve nuk do t’u bëhet as një varrim dinjitoz, familjet nuk do të mund t’i japin lamtumirën të dashurëve të tyre, mijëra do të humbasin përgjithmonë. / 21Media
* Delfina Ertanowska – Master në Gazetari, Mediat dhe Komunikimi, për më shumë se 5 vjet shkencëtare në fushën e luftimit hibrid, propagandës mediatike dhe dezinformimit.

Back to top button