Joseph rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë e cilëson goditje ndaj Presidentit Thaçi

Joseph rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë e cilëson goditje ndaj Presidentit Thaçi

Analisti amerikan, Edward Joseph, tha se me emërimin e Richard Grenellit të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Shtëpia e Bardhë beson se mund ta bindë Gjermaninë që të mbështesë idenë e përfolur më herët për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë.

“Është e pazakonshme, sidomos kur keni një emisar të sapoemëruar dhe pastaj emëroni edhe një tjetër. Krijon vërtet konfuzion. Por, në anën tjetër, nuk është krejt keq. Grenell është ambasador në Gjermani dhe, megjithëse ka pasur mosmarrëveshje atje, ai është i vetëdijshëm për shqetësimin e Gjermanisë në lidhje me politikën që ka ngritur ish-këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, e cila duket se është në favor të shkëmbimit të territoreve (midis Kosovës dhe Serbisë). Është e mundshme që Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkan dhe beson se Grenell është personi që mund ta bindë Gjermaninë. Por, në pikëpamjet e udhëheqësve të rëndësishëm në rajon, shkëmbimi i territoreve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues.”, ka thënë Joseph për Rel,

Grenell, së bashku me të dërguarin tjetër amerikan për Ballkanin, Mattheë Palmer, sot po qëndrojnë në Kosovë.
Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Joseph flet edhe për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilin e cilëson si goditje ndaj presidentit Hashim Thaçi, për sfidat e menjëhershme të qeverisë së re e të tjera.

“Në njërën anë është goditje e qartë ndaj presidentit (të Kosovës, Hashim) Thaçi. Nuk ka dyshim për këtë. Ideja se ai mund të ketë mandat nga votuesit e Kosovës për të ndjekur rrugën e tij – së bashku me presidentin e Serbisë (Aleksandar) Vuçiq – për ndarjen e Kosovës, qartazi nuk ekziston. Në anën tjetër, mund të ndodhë që Albin Kurti i Vetëvendosjes bëhet kryeministër. Edhe qasja e tij është e përzier, sepse ai, me vite, ka këmbëngulur në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai nuk do që Kosova të jetë një shtet i pavarur, por të bashkohet me Shqipërinë. Kjo do të bëhej e mundur me shkëmbim territoresh. Kurti po ashtu ka thënë se është kundër dorëzimit të ndonjë territori te serbët. E ka thënë këtë disa herë, por duhet të shohim.”, tha Joseph