Sulmuesi malazez kërkohet nga klube të ndryshme evropiane

Sulmuesi malazez kërkohet nga klube të ndryshme evropiane

Afati kalimtar i janarit pritet të sjellë ndryshime të mëdha te skuadra e Monacos, cila fillimisht ka siguruar transferimet e Pepes dhe Cesc Fabregas, por nga ekipi do të ketë edhe largime.

Një prej tyre është Stevan Jovetiq i cili nuk arriti të shpërthente asnjëherë në Principatë dhe është duke shqyrtuar mundësitë se ku do ta vazhdojë karrierën.

Schalke në Gjermani është një prej skuadrave më të interesuara për 29-vjeçarin dhe pritet të bëjë një ofertë zyrtare për të. Por mediat në Turqi sot shkruajnë se për Jovetiq ka shprehur interesim edhe Galatasaray, që gjithashtu kërkon të përforcojë sulmin në afatin kalimtar të janarit.

Destinacioni i ardhshëm i ish-sulmuesit të Interit ende nuk dihet, por largimi i tij nga Monaco duket i pashmangshëm.