Në fjalimin e tij vjetor për gjendjen në BE

Në fjalimin e tij vjetor për gjendjen në BE

Presidenti i Komisionit të Evropës, Jean-Claude Juncker, në fjalimin e tij vjetor për gjendjen në Bashkimin Evropian, deklaroi se unioni viteve të fundit ka rikthyer besimin në vete.

Në fjalimin mbajtur para deputetëve të Parlamentit të Evropës, Juncker tha se Evropa është rikthyer në union dhe unioni është rikthyer në Evropë.

Presidenti i Komisionit të Evropës ndër të tjera tha se Evropa tani ka të hapur një dritare të mundësive, por tërhoqi vërejtjen se ajo nuk do të mbetet e hapur përgjithmonë.

Juncker shpalosi pesë fusha, në të cilat Komisioni i Evropës do të përqendrohet gjatë 16 muajve të ardhshëm të mandatit të tij, e që janë forcimi i programit tregtar të Bashkimit Evropian, strategjia e re industriale, lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe puna për të zgjidhur çështjen e migracionit, shkruan rtv21.tv

Ai tha se ka ardhur koha që unioni të përcaktoi kursin për ardhmërinë dhe ju bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të vazhdojnë bisedat për skenarët e ndryshëm për ardhmërinë e Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalimit, Juncker apeloi te shtetet e unionit që shteteve të Ballkanit Perëndimor t’i ofrojnë një ardhmëri të besueshme për anëtarësim, por përsëriti se gjatë këtij mandati të Komisionit dhe Parlamentit të Evropës nuk do të ketë zgjerim të unionit, pasi që sipas tij kushtet për anëtarësim nuk janë plotësuar.

“Nëse dëshirojmë fqinjësi më stabile, atëherë duhet ti ofrojmë një perspektivë të besueshme për zgjerim shteteve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij mandati të Komisionit dhe Parlamentit të Evropës nuk do të ketë zgjerim të ri, ngase kushtet për anëtarësim nuk janë plotësuar. Por në të ardhmen, Bashkimi Evropian do të ketë më shumë se 27 shtete anëtare”, konstatoi Juncker.

Duke folur për procesin e Brexiti, Juncker tha se largimi i Britanisë do të jetë një ngjarje tragjike dhe se unioni shpreh keqardhje për këtë, por tha se Brukseli do të respektoi vullnetin e popullit britanik, se unioni do të përparoi, ngase sipas tij, Brexiti nuk është ardhmëria e Bashkimit Evropian./21Media