Juventusi ia komplikoi jo pak gjërat vetes për kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve

Juventusi ia komplikoi jo pak gjërat vetes për kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve

Në sfidën e zhvilluar në “Allianz Stadium” ndaj Tottenham Hotspur, “Zonja e Vjetër” hodhi poshtë avantazhin 2-0 të krijuar në 9 minutat e para, për të barazuar sfidën me londinezët në 2-2. Ndeshja e kthimit që do të luhet në “Wembley” do të jetë vendimtare për kampionët e Italisë, që i pret një detyrë shumë e vështirë.Skuadrat angleze kanë rezultuar një mallkim për bardhezinjtë, pasi në 5 përballjet e fundit të saj me klubet e Premier League në sfidat me eliminim direkt, Juventusi gjithnjë është eliminuar.

Por jo vetëm kaq, skuadra torineze trembet edhe nga një precedent tjetër lidhur me Bajernin e Mynihut. Përpara 3 viteve, Juventusi luajti finalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa sezonin pasardhës u eliminua pikërisht në 1/8 e finaleve nga skuadra bavareze.

Ndeshja e parë me gjermanët në atë kohë u mbyll 2-2, ndërsa në Mynih, Bayern fitoi 4-2 pas kohës shtesë, në një ndeshje ku Juventusi mori një avantazh të dyfishtë. Por, Juventusi ka edhe probleme të tjera. Me mungesën e Dybala, dhënien e Pjaca me huazim, “Zonja e Vjetër” rezultoi pa shumë alternativa në sulm përballë Tottenham. Një situatë që u rëndua me dëmtimin e Mandzukic në ije, që detyroi trajnerin Allegri ta zëvendësojë.

Po kështu, një tjetër zëvendësim i detyruar ishte ai i Sturaros, që do të thotë një reduktim akoma më i madh i zgjedhjeve të Allegrit.Në këtë pikë, për kampionët e Italisë që duan të shkojnë në ndeshjen e 7 marsit në një formë sa më të mirë, shpresat janë te Paulo Dybala, i cili mund të jetë në fushën e lojës që në ndeshjen derbi të së dielës dhe Blaise Matuidi, i cili është element i rëndësishëm në skemën e trajnerit livornez.