Tregut të punës sivjet iu shtuan edhe 43 gazetarë të rinj. Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Depertamentin e Gazetarisë dje diplomuan 43 studentë.

Tregut të punës sivjet iu shtuan edhe 43 gazetarë të rinj. Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Depertamentin e Gazetarisë dje diplomuan 43 studentë.

Donjeta Murselaj e cila diplomoi në nivelin bachelor, përmes një fjalimi motivues tregoi pse duhet të ndjeket kjo rrugë.

“Përshëndetje e nderuar Dekane, të nderuar profesorë dhe profesoresha, shumë të dashur kolegë dhe familjarë.

Fillimisht du me falenderu veç e veç secilin që ka kontribu që unë sot të jem këtu. Faleminderit Profesor Milazim, që keni ngjallë te ne besimin që mund të ndryshojmë gjërat e këqija në këtë vend. Faleminderit Profesoresha Remzie, që na keni mësu me qenë më të përgjegjshëm, duke na përgatitur për botën që na pret jashtë, e cila nuk na jep një shans të dytë me i bo gjërat më mirë. Faleminderit Profesoresha Linditë, që na keni hap kafazin e mendjes tonë, pa ia imponu drejtimin e fluturimit. Faleminderit Profesor Bajram, që e keni thjeshtësu çdo teori të gazetarisë deri në atom për ne. Faleminderit Profesor Rrahman, që na keni përgatit si me u përballë me realitetin e tregut. Faleminderit asistentëve të profesorëve për gatishmërinë dhe punën e palodhshme që e kanë bo me neve. Faleminderit prindërve të mi, motrave të mia që nuk kanë kursu asgjë për të hapur rrugën e suksesit tim. Faleminderit shokë e shoqe që keni qenë pjesa më e mirë e këtyre tri viteve.

Unë vërtetë mund të jem një snapchat, si na quan profa Milazim, por unë të paktën mbaj mend shumë mirë ditën kur kam ardhur për herë të parë këtu, shëtitjen në gjithë objektin e fakultetit për të gjetur sallat. Mbaj mend lajmin e parë që e kom shkru, herën e parë kur fola para kolegëve, detyrën e parë, prezantimin e parë. Mbaj mend mallin e parë për familjen, provimin e parë, dështimin e parë. Mbaj mend edhe suksesin e parë, por asnjëherë nuk mbaj mend të jem ndjerë më krenare me veten dhe me secilin nga ju, si sot, në këtë ditë, në këtë moment.
Kur po e kujtoj ditën e parë, herat e para po m’doket sikur krejt këto kanë ndodhë dje, por kur e shoh ndryshimin që kam pësu unë, jeta jem, jeta e secilit prej nesh, kuptoj se kjo kohë nuk ka kalu shpejt, e aq më pak lehtë. Gjatë këtyre tri viteve dikush ka humbë personat e dashur, dikush ka gjetë dashurinë e jetës, dikush shoqërinë, dikush punën… e dikush vetën.
Faktikisht na nuk jemi të vetmit që kemi pësu ndryshime. Ndryshime ka pësu edhe salla 101, salla ku na i kemi mbajtë ligjerata këto tri vite, po m’doket u rrit goxha shumë, u dyfishu. Mbaj mend që në atë sallë ka qenë e vështirë me e gjetë një vend me u ulë, sot ka vend edhe për një gjysmë tjetër, për gjysmën tjetër të kësaj gjysme që kemi mbetë.
Sido që të jetë, fakti që na kemi mbetë e ka një arsye. Arsyeja që na jemi sot këtu është se dëshira jonë me u bo gazetarë ka qenë më e madhe se çdo arsye tjetër që kish mujt me na detyru me u dorëzu. E unë ju inkurojoj me vazhdu e mos me u dorëzu. Mbani mend që ju kurrë nuk keni me pasë më shumë energji, entuziazëm, flokë ose qeliza të trurit sa që keni sot.
Fakulteti na ka mësu që puna e vështirë paguan; se ka shumë ma shumë gjëra të tjera më të rëndësishme me i mësu se sa me i mbaj në mend disa definicone; se ajo që bëjmë jashtë klasës është po aq e rëndësishme sa ajo që bëjmë brenda.

Por, gjëja më e rëndësishme që fakulteti na ka mësu është se notat që fitojmë nuk janë aq të rëndësishme sa mësimet që marrim. Ne kemi fitu një notë në provimin e lëndës “Hyrje në Gazetari”, por ne kemi marrë një mësim që gazetari nuk duhet të shkojë në një ngjarje, vetëm sa për të shkuar. Ne fituam një notë për kalimin e provimit në lëndën “Bazat e Komunikimit Masiv”, por ne kemi marrë një mësim se sa e rëndësishme është të dalim prej kutisë, përtej kornizave të mendjes tonë. Ne e kemi fitu një notë në lëndën “Etikë e Gazetarisë”, por ne mësuam që para informacionit, etika është zemra e raportimit. Ne kemi fitu një notë për shkrimin e eseve në lëndën “Hyrje në Letërsi”, por ne mësuam për të kuptuar se fjalët janë poema dhe poemat janë të bukura.
Kur mendoj për gjeneratën tonë, nuk mendoj për asnjë person, mendoj për një komunitet punëtorësh, për një grup gazetarësh të së…të së tashmës, për një familje. Një komunitet ka një përgjegjësi të caktuar, dhe ne nuk kemi me e harru atë përgjegjësi. Unë pres nga vetja dhe nga ju kolegët e mi, të përmirësojmë gjendjen e gazetarisë në vendin tonë dhe të punojmë vetëm në gjetjen dhe raportimin e të vërtetës, dhe asgjë tjetër pos të vërtetës.

Mos mendoni se është e pamundur – “Nëse mendoni se jeni shumë të vegjël për të qenë efektivë, do të thotë se ju kurrë nuk keni qenë në një shtrat me një mushkonjë.”

Provoni, edhe nëse dëshoni, prap provoni!

Mos harroni që dështimet janë shkallët e suksesit.

Kujtoni që Tomas Edisoni për me e shpik poçin elektrik ka bo mijëra eksperimente. Dhe kur u pyet “A nuk është e turpshme që edhe pas mijëra eksperimenteve nuk keni asnjë rezultat?”
Edisioni u përgjigj: “Asnjë rezultat? Ne kemi mijëra rezultate, ne kemi mijëra mënyra se si nuk funksionon, tash duhet të gjejmë një mënyrë të re.”
Unë nuk dyshoj që secili nga ju keni me arritë sukses. Dhe unë kam dëgju që suksesi është nën alarmin e mëngjesit dhe vendi i vetëm ku suksesi është para vuajtjeve është fjalori i gjuhës shqipe.
Në mbyllje, do t’u kërkoj kolegëve të më bashkohen në një duartrokitjeje për familjarët dhe stafin akademik që na ndihmuan të arrijmë deri këtu.

Urime dhe suksese!
Faleminderit!
Donjeta Murselaj
Prishtinë, 10 korrik 2019

(Fjala e studentes Donjeta Murselaj, mbajtur në ceremoninë solemne të diplomimit në emër të studentëve të gjeneratës së dymbëdhjetë).