Ka hutuar pacientët gjatë trajtimit kundër COVID-19/ Zhan Mitrev mbeti pa pasaportë shkaku i rrezikut për arratisje

2 min read

Prokuroria dje ia mori pasaportën akademikut Zhan Mitrev, për shkak se ka rrezik që të arratiset.

Kundër pronarit të Spitalit Privat “Zhan Mitrev” hapet procedurë për veprën penale “mashtrim i pacientëve”. Sipas burimeve tona, Prokuroria do të shqyrtojë 560 dosje pacientësh.

“I dyshuari, në periudhën nga prilli 2020 deri në vitin 2022, me qëllim që për institucion shëndetësor privat të sigurojë përfitime pronësore të paligjshme, duke paraqitur fakte të rrejshme, i ka hutuar pacientët e mjekuar nga COVID-19 me metodën e hemofiltrimit.”, thanë nga Prokuroria Publike.

Pas vendimit të Gjykatës, me kumtesë doli edhe spitali privat “Zhan Mitrev”, prej ku thanë se do të bashkëpunojnë me institucionet dhe do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë transparente dhe në interes të pacientëve.

“Duke e ditur të vërtetën dhe duke u udhëhequr nga standardet e larta të punës, ne do të ndihmojmë në zbardhjen e situatës faktike dhe po vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona materiale dhe njerëzore që e vërteta të dalë para opinionit.”, thanë nga spitali “Zhan Mitrev”.

Prokuroria Themelore-Shkup, pas informacionit të marrë nga opinioni, formoi lëndë më 18 korrik, pasi IRL publikoi hulumtimin e saj për mënyrën e punës së Spitalit “Zhan Mitrev” dhe mjekut Zhan Mitrev, në periudhën 2020-2022. IRL-ja në filmin dokumentar të titulluar “Gjaku i Papastër” publikoi rrëfime të familjeve të pacientëve të sëmurë me Covid, te të cilët është zbatuar metoda e filtrimi i gjakut, pa e ditur se po bëhen testime klinike. Hemofiltrimin, Dr.Mitrev e ka reklamuar si shpëtim i vetëm nga virusi korona, kurse kushti që pacientët të trajtohen dhe hospitalizohen në këtë spital, ka qenë të paguajnë paradhënie prej 12.000 eurove. Studimet klinike që janë kryer në këtë spital nuk janë paraqitur as në Agjencinë e Barnave – MALMED, raporton TV21./21Media