Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në ora 15:00

Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në ora 15:00

Ka vdekur në moshën 76-vjeçare, shkrimtari e dramaturgu i mirënjohur kosovar, Musa Ramadani.

Homazhet për nder të jetës dhe veprës së tij do të mbahen nesër në hollin e Teatrit Kombëtar, nga ora 10:30 deri në 12:00. Akademia përkujtimore do të mbahet në ora 12:00 po në Teatrin Kombëtar, derisa varrimi i të ndjerit do të bëhet në ora 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Shkrimet e para letrare i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i rinisë”. Dorëshkrimin “Neurosis” të refuzuar nga “Rilindja” e botoi vetë në vitin 1973. Libri u vlerësua avangardist dhe prijës i poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës.

Gjatë viteve ’70 në Festivalin e Akordeve të Kosovës për kompozime të muzikës së lehtë, fitoi dy çmimet e para. Botoi këto vepra poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969), “Thirravaje” (1971), “Neurosis” (1973), “Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990) dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010).