Abdixhiku: Kabineti i kryetarit të Kuvendit hanë 170 euro drekë në ditë

Shpenzimet e Kuvendit të Kosovës janë rritur në nëntë mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me atë të vitit të kaluar

Vetëm në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë shpenzuar 170 euro për çdo ditë vetëm dreka. Kështu është bërë e ditur gjatë shqyrtimit të raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntë mujorin e vitit 2017 në komisionin parlamentar për buxhet dhe financa.

Po ashtu, si shpenzime enorme për këtë periudhë janë konsideruar edhe shpenzimet për bileta të udhëtimit dhe për karburante.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku ka kërkuar ulje të shpenzimeve për mëditje dhe për dreka.

Ai ka shtuar se janë disa shpenzime që kishin mundur me u kursyer më shumë te çështja e drekave, mëditjeve dhe udhëtimeve jashtë vendit, sidomos jo të deputetëve sa të stafit administrativ, sepse sipas Abdixhikut, 90 përqind e këtyre udhëtimeve janë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni. Kështu ai ka kërkuar këto takime të reduktohen dhe të mbahen në Kosovë.

Edhe Enver Hoti, anëtar nga Nisma për Kosovën, ka thënë se është shqetësuese mos realizimi i investimeve kapitale nga ana e kuvendit, si dhe rritje e shpenzimeve për bileta të udhëtimit, edhe pse sipas tij, kuvendi ka qenë jo aktiv në këtë periudhë.

Këtyre shqetësimeve për rritje të shpenzimeve i është përgjigjur sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cila ka thënë se çdo shpenzim është i faturuar dhe i mbuluar me vendim, mirëpo duke i rrudhur krahët ka thënë se nuk ka autoritet t’i parandalojë shpenzimet.

Pas insistimit të deputetëve, ai ka arsyetuar shpenzimet për bileta dhe për karburante, duke thënë se për 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, për të gjithë të ftuarit kanë paguar bileta, duke përfshirë edhe mysafirët nga Japonia dhe nga vendet e caktuara të botës.

Komisioni me shumicë votash ka miratuar raportin e shpenzimeve për Kuvendin.

Po ashtu, Komisioni për Buxhet dhe Financa sot ka shqyrtuar projektligjin për plotësim ndryshim të projektligjit për AKP-në, të cilin e ka prezantuar zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, i cili ka thënë se qëllimi i ndryshimit është mundësia e qasjes së Qeverisë në fondin e AKP-së, në mënyrë që mjetet të barten në buxhetin e Kosovës. Ai ka thënë se bëhet fjalë për 370 milionë euro./21Media

 

 

Back to top button