Kadri Veseli, Vjosa Osmani e Albin Kurti viktimë e sulmeve shpifëse!

Parandalimi i dezinformatave, Kosnett: Qeveria duhet të vendosë standardin e saktësisë

Verifikimi i lajmeve dhe parandalimi i dezinformatave u konsideruan të domosdoshme në konferencën që Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) ka organizuar sot për këtë fenomen në Kosovë.
Krahas kësaj u prezantua një hulumtim ku paraqet se dezinformimi ka qenë i pranishëm te të gjitha partitë politike në zgjedhjet e 6 tetorit, në veçanti me sulme shpifëse ndaj kandidatëve për kryeministër Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Kadri Veseli.

Pjesë e kësaj konference ishte dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i cili kërkoi angazhim më të madh në mbrojtjen e qytetarëve nga dezinformatat, teksa iu bëri thirrje institucioneve të kenë rolin e tyre në parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni negativ.

“Institucionet qeveritare, shoqëria civile dhe mediat e kanë rolin e tyre. Kur them që Qeveria ka rol në luftimin e dezinformatave nuk mendoj censurën dhe as penalizmin e lirisë së shprehjes. Amerikanët besojnë se liria e shprehjes është thelbësore për çdo demokraci edhe pse ajo liri e shprehjes është fyese. Detyra e parë e qeverisë është që të jetë shumë e ndërgjeshmëri në shpërndarjen e informatave të sakta. Qeveria duhet të vendosë standardin e saktësisë”, tha ai.

Ndërsa, Shari Bryan, zëvendës presidente e Institutit Kombëtar Demokratik duke folur për dezinformimin në nivel global, tha se as Kosova nuk është imune ndaj këtij fenomeni derisa theksoi nevojën e një rezistence shtetërore ndaj dezinformimit.

“Kemi parë edhe aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë që përdorin dezinformata për të ndikuar rezultatet politike, për të shtuar armiqësinë ndërmjet etnive. Çfarëdo arsyetimi për përdorimin e lajmeve të rreme, apo dezinformomi është shkurt-pamës. Megjithatë, rreziku paraqet një kërcenim të madh për përparimin demokratike në Kosovë”, tha Bryan.

E drejtori i programit në NDI, Valon Kursani teksa paraqiti hulumtimin tha se Kosova ‘ka apetit’ për dezinformata.

“Në Kosovë ka apetit për dezinformata. Është dezinformimi, propaganda online dhe sulmet kibernetike kanë qenë shumë të lira dhe këto po përdoret si mjete nga politika dhe bizneset. Si sfidë e dytë është se politika vazhdueshëm përfshihet në shpërndarjen e dezinformatave. Ato rregullisht përdorin portalet e lajmeve për shpërndarjen e dezinformatave dhe shpeshherë përpiqen të arrijnë përfitim shkurt-pamës politik”, u shpreh ai.

Pjesë e kësaj konference ishin dhe përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile të disa prej shteteve të Ballkanit me qëllim të zbulimit dhe parandalimit të dezinformatave.

Back to top button