Kadri Veselit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja

Prokuroria e Specializuar në Hagë ia ka vazhduar paraburgimin ish-kryepalamentarit, Kadri Veseli.
Në vendimin që është bërë publik sot nga Specialja, thuhet se ende nuk kanë pushuar arsyet që Veseli po mbahet në paraburgim.
Gjykatësi Guillou konstaton se ka më pak siguri dhe më shumë mundësi për rrezik nga një lirim i mundshëm i përkohshëm i Kadri Veselit.
Specialja vlerëson se Veseli do të mund të arratisej nëse do të lirohej.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media

Back to top button