Kallëzimi penal ndaj Berishajt! AKK flet për RTV21

Në muajin prill, ishte raportuar për një skandal të madh financiar që kishte shpërthyer në Slloveni. Aty ishte përfshirë ambasadori Martin Berishaj. Më vonë, u gjet se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë në vitin 2022.
Pas kësaj, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) këto parregullësi i ka përcjellë te Prokuroria e Shtetit e cila mund të ngrisë kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj.
Lidhur më këtë AKK është kontaktuar nga portali rtv21.tv
Në përgjigje për portalin rtv21.tv, AKK ka thënë se “Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni për fshehtësinë zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si informacion të klasifikuar çdo informacion që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet fshehtësi e informacionit zyrtar, në pajtim me ligjin përkatës në fuqi. Në kuptim të këtij ligji informacion i klasifikuar zyrtar konsiderohen: informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i hetimit administrativ nga Agjencia, …  Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

Mbi këtë, Prokuroria mund të hedh kallëzim penal apo mund të zhvilloj hetime dhe ndjekje penale.

“Kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë sepse Prokuroria gjatë trajtimit të rastit mund ta hedhë kallëzimin penal apo mund të zhvilloj hetime dhe ndjekje penale”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për portalin rtv21.tv
Pas këtyre lajmeve, opozita po kërkon shkarkimin e ambasadorit Berishaj.
Kryetarja e Forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK, Jehona Lushaku-Sadriu ka kërkuar nga institucionet kompetente në Kosovë që ta shkarkojnë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. “Hapja e hetimeve, por edhe përfshierja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rënd imazhin e vendit tonë, rrjedhimisht e bëjnë të pamundur përfaqësimin e shtetit. Prandaj, deri në përfundimin e rastit në fjalë, kërkojmë shkarkimin e Abasadorit Martin Berishaj; siç dhe kërkojmë sqarimin e secilit zyrtar publik, që në fillet e shpërthimit të këtij skandali, kishin garantuar dhe marrë në mbrojtje ambasadorin në fjalë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Pas LDK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës – PDK, ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit Berishaj. “Ne kërkojmë me ngulm që të jepen përgjigjet e faktuara mbi atë se ku mbetën 600 mijë eurot e këtij personi. Marrë parasysh të gjitha këto dhe të tjerat si këto, ne si Parti Demokratike e Kosovës, kërkojmë që ambasadori Berishaj të shkarkohet urgjentisht, pos tjerash edhe me qëllim që të mundësohet hetim i drejtë dhe i papenguar. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët, gjë që e kemi kërkuar ne si PDK. Kemi të drejtë të dyshojmë se do të ketë interferim të pushtetit populist në institucionin e pavarur siç është Prokuroria e Shtetit. Kërkojmë nga pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet, sidomos tash, kur kemi parasysh zellin populist që është treguar në mbrojtjen e ambasadorit Berishaj nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani”, ka thënë Faton Abdullahu i PDK-së.
Ndërsa, Muharrem Nitaj nga AAK ka thënë se nuk mjafton as shkarkimi i Berishajt. “Ia ka qitë hijë e keqe krejt Kosovës, jo vetëm Shërbimit Diplomatik. Edhe nëse shkarkohet sot, kjo është e pamjaftueshme, llogari duhet të japin edhe ata që e kanë mbrojtur!”, ka thënë ai.
Portali rtv21 ka kontaktuar edhe Prokurorinë e Shtetit dhe po pret përgjigje./21Media

Back to top button