Kanadaja, adresa e duhur për partneritet në fushën e minierave

“Kanadaja është adresa e duhur për ne, për partneritet në fushën e minierave”

Kosova është falënderuese për rolin e Kanadasë në periudhat më të vështira dhe prezencës së saj ushtarake dhe humanitare në vend, dhe se tani kjo ndihmë duhet të konkretizohet me projekte ekonomike për të cilat vendi ka nevojë dhe ka se çka ofron.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, në një takim me delegacionin nga Kanada, kryesuar nga  ambasadori jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk dhe Komisionari shtetëror i gjuhëve të Kanadasë, Raymond Théberge, me të ciklet ka biseduar për zhvillimet në vend dhe rajon, dhe procesin e integrimeve euro-atlantike për Kosovën.

“Duke e vlerësuar mbështetjen e Kanadasë për Kosovën, në proceset e shtetndërtimit dhe konsolidimit tonë të vazhdueshëm ndërkombëtar shpreha gatishmërinë edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimeve, me theks të veçantë, investimeve në sektorin e minierave, të cilat në këtë shtet radhiten si një nga industritë primare”, tha Haradinaj.

Ai falënderoi komisionarin Théberge për ndihmën e dhënë në sensibilizimin e rëndësisë për përdorimin e dygjuhësisë në institucionet e vendit, përmes Zyrës së Komisionarit për Gjuhët, derisa nga ambasadori Maksymiuk dhe delegacioni kanadez kërkoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke i ftuar investitorët kanadezë veçmas nga fusha e minierave që të investojnë në Kosovë.

“Kanadaja është adresa e duhur për ne, për partneritet në fushën e minierave”, tha Haradinaj.

Nga ana tjetër, ambasador jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk tha se Kanadaja e konsideron Kosovën si vend mik dhe me të cilin do ta vazhdojë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

Back to top button