“Pagën 400 përqind më të lartë se kryeministri, me vetëm 12 ditë punë në vit”

Replika Haxhiu- Kuçi

Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi dhe deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu janë përplasur rreth pagës së kryeministrit dhe pagës së deputetëve.

Kuçi tha se vet Haxhiu e ka pagën 100 për qind më të madhe se sa kryeministri, derisa ai vet e ka 48 mbi pagën e kryeministrit

“120 deputetë këtu që jemi në sallë e kemi pagën me të madhe se kryeministri i Kosovës. Edhe nismëtarët, ata që i prinë kësaj nisme e kanë pagën më të madhe se kryeministri. Shembull, deputetja Albulena Haxhiu e ka pagën 100 përqind me të madhe, ose merr në fund të vitit pagë më të madhe se kryeministri i Kosovës. Edhe unë tash që po flas e kam pagën 48 mbi pagën e kryeministrit të Kosovës. Disa shokë të mi që janë anëtarë të bordeve të disa ndërmarrjeve e kanë pagën 400 përqind më të lartë se kryeministri i Kosovës dhe ata takohen vetëm 12 herë në vit. Ose më mirë të themi kanë 12 ditë punë në vit”, tha Kuçi.

Kjo ka nxitur replikën e deputetes Haxhiu, e cila tha se pajtohet që paga e deputetëve është e lartë, dhe se mbështet çdo lloj nisme e cila ka për qëllim uljen e pagës së deputetit.

“Zotëri Kuçi, në imazhin tënd Kosova duket që është Republikë qeveritare, kështu duke të dëgjuar çka po flet t’i konsideron se Kosova është Republikë qeveritare dhe po harron në fakt që Kosova është Republikë parlamentare dhe institucioni më i lartë në këtë vend është Kuvendi. Unë pajtohem plotësisht me ty që paga e deputetit është e lartë, dhe prandaj do të mbështes çfarëdo nisme që ka për qëllim uljen e pagës së deputetit. Është e papranueshme që deputeti të marrë pagë ndoshta shtatë fish se paga mesatare në vend dhe këtu po e them, jo vetëm unë por edhe grupi parlamentar i VV-së do të mbështes, ata që kanë nevojë për rritje janë qytetarët”, theksoi Haxhiu.

Back to top button