Marijuanë e kokainë nga Shqipëria

Marijuanë e kokainë nga Shqipëria

Policia italiane e Bolonjës sot ka ekzekutuar operacionin e koduar “Outlet”, që ka çuar në arrestimin e 17 personave, shtetas shqiptarë e italianë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Hetimet e këtij operacioni çuan në sekuestrimin e mbi 1 mijë e 500 kg marijuanë, 100 kg hashash, e 2 kg kokainë.

Grupi i trafikantëve i përbërë nga shqiptarë e italianë banonin në territorin e Bolonjës. Ata kishin degë të shtrira në rajonet e Emilia Romanjës, Umbrias e Toskanës.

Droga mbërrinte nga Shqipëria përmes gomoneve të fuqishme që kapërcenin Adriatikun e magazinohej në rajonin e Puglias. Më pas droga transportohej në Bolonjë me automjete të drejtuara kryesisht nga shtetas italianë. Dhe drejtimi i gomoneve me drogë që niseshin nga Shqipëria u besohej shtetasve italianë.

Sipas policisë italiane, trafiku i drogës nga Shqipëria i sillte këtij grupi trafikantësh fitime të mëdha. 1 kilogramë marijuanë blihej nga Shqipëria me 800-1000 euro dhe shitej në Itali me dyfishin e çmimit 2000-2500 euro.

Pasi mbërrinte në Bolonja droga tregtohej nga korrierë të vegjël shqiptarë e marokenë dhe më pas magazinohej në garazhe apo në shtëpi të braktisura në zona periferike të provincës së Bolonjës.

E pikërisht arrestimi i një korrieri maroken çoi në nisjen e hetimeve të këtij operacioni. Për autoritetet italiane ai rrëfeu se kush ishin furnizuesit shqiptarë të drogës, si dhe vendin e shitjes së saj pranë një qendre tregtare. Prej këtij fakti dhe operacioni u kodua me emrin “Outlet”.