Kombëtarja e karatesë mori pjesë në evropian me 10 garues

Kombëtarja e karatesë mori pjesë në evropian me 10 garues

Karateistja Fortesa Orana, ka garuar sot në luftën për medalje të bronztë në kampionatin evropian të karatesë, që po mbahet në Guadalajara të Spanjës.

Karateistja jonë u mposhtë me rezultat 2:1, nga finlandezja, Titta Keinanen, duke humbur mundësinë e artë që kombëtarja e karatesë të kthehet nga Spanja me medalje.

Orana kishte fituar të enjten tri luftëra (dy në repesazh), kurse kishte humbur njërën luftë, shkaku i diskualifikimit në sekondat e fundit.

Kombëtarja e karatesë mori pjesë në evropian me 10 garues.

Afër medaljes ishte edhe Elhami Shabani (-75 kg), i cili shënoi dy fitore, ndërsa në repesazh, humbi me vendim të gjyqtarëve, pasi rezultati ishte 0:0. Dy fitore kishte shënuar edhe Alvin Karaqi në kategorinë -84 kg, ndërsa garuesit tjerë u ndalën kryesisht në luftën e parë ose të dytën.

Të premten në ekipore, meshkujt mposhtën Malin e Zi, ndërsa u mundën nga Portugalia.

Ekspedita e karatesë u paraqit në evropian me simbole shtetërore, të cilat këtë herë u lejuan nga shteti i Spanjës, të cilët vazhdojnë të mos e njohin Pavarësinë e Kosovës. Drejtësinë në evropian e ndau edhe gjyqtari ndërkombëtar, Ardian Muhadri.